Berisha: Ministrat të debatojnë reformat me shoqërinë civile
Kryeministri Sali Berisha u kërkon ministrave që të diskutojnë me shoqërinë civile dhe qytetarët reformat e ndërmarra nga Qeveria. Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, kreu i Ekzekutivit theksoi se konsultimet duhet të përfshijnë grupet e interesit dhe qarqet akademike, të cilat sipas tij, kanë ekspertizë shumë të mirë. "Ne duhet të konsultojmë hapat tona dhe reformat me shoqërinë civile, e cila gjithnjë disponon dhe mbart një mendim të avancuar në fushat ku operojnë. Ne nuk duhet të bëjmë asnjë hap pa një përpjekje serioze për të vjelë mendimin më të avancuar në çdo fushë, në çdo aspekt. Janë reforma të mëdha ato që bëhen, të cilat nuk mund të kalojnë pa u vënë re", theksoi Kryeministri. Sipas tij "reforma, të cilat duhet të vijnë si rezultati i një debati të gjerë, ku të merret mendimi jo vetëm i deputetëve, por edhe mendimi qytetar. Ne duhet t'i shndërrojmë reformat në objekt të diskutimeve më të gjera të mundshme. Ka pasur një diskutim të gjerë dhe shumë të mirë të organizuar për strategjitë dhe siç edhe e dini strategjitë janë në zbatim nëpërmjet reformave. Pra, nuk mund të thuhet se debati u mbyll me diskutimin e strategjive. Përkundrazi, debati më intensiv hapet me zbatimin e tyre". Kreu i ekzekutivit u ndal sërish në procesin e privatizimeve, i cili sipas Berishës i jep goditje fatale korrupsionit. "Ky është një proces me të cilin, jo vetëm i jepet një goditje fatale korrupsionit dhe, në mënyrë absolute, ky është qëllimi parësor i kësaj qeverie, pasi nuk ka asgjë më të rëndësishme për një shtet sesa integriteti i administratës publike, por, nga ana tjetër, duke ndryshuar pronësi dhe menaxhim krijohen vlera shumë më të mëdha, sesa këto prona të shkapërderdhura të mbeteshin në duart e shtetit", vijoi më tej kreu i Qeverisë. Sipas kreut të ekzekutivit "në mënyrë të përsëritur kam dëgjuar të shprehin disaprovim për politikat e privatizimit. Por këto politika janë politika të tregut të lirë, të cilat kanë të bëjnë me konsolidimin e sistemit mbi pronën private. Ky sistem nuk përjashton pluralitetin e pronësisë, por, parë së gjithash, është sistemi që bazohet mbi pronën private dhe iniciativën e lirë të qytetarëve".