Basha: Pensione dhe sigurime për emigrantët
Të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi si shkollimi, sigurimet shëndetësore, pensionet dhe liberalizimi i vizave, janë bërë shkak që shteti shqiptar dhe ai grek të rishikojnë nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe. Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha gjatë takimit të zhvilluar me delegacionin e Unionit të Shoqatës së Emigrantëve shqiptarë në Greqi, ka theksuar se për arritjen e kësaj marrëveshje në shtetin fqinj, ndodhet ministri i Punëve dhe Çështjeve Sociale.
Sipas tij, kjo ishte një nga çështjet kryesore të diskutuara mes kryeministrit Berisha dhe kryeministrit Karamanlis gjatë vizitës së fundit të kryeministrit grek në Tiranë, ku palët ranë dakord për një marrëveshje të përbashkët mbi njohjen e ndërsjellët të sigurimeve shoqërore dhe të pensioneve. Do të sigurojmë pensionet, sigurimet dhe shkolla zyrtare shqipe për emigrantët dhe brezin e ri që rritet në emigracion gjithashtu edhe liberalizimin e vizave me Greqinë. Familjet e kushtëzuara të ndara nga rrëgjimi i vizave do të marrë fund, deklaroi Basha. Një tjetër mundësi që do të shfrytëzohet në këtë drejtim është dhe transmetimi i programeve të veçanta satelitore në ndihmë të arsimit dhe kulturës për bashkëkombësit tanë jashtë vendit. Edhe mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët shqiptarë në diasporë, është vlerësuar si një ndër çështjet prioritare gjatë këtij takimi. Në këtë drejtim përpjekjet tona janë drejtuar drejt mësimit të gjuhës shqipe, në sa më shumë shkolla publike por edhe në funksionalizimin e një rrjeti qendrash mësimi të gjuhës shqipe kudo ku jetojnë dhe punojnë emigrantë shqiptarë në Greqi, nënvizoi ministri Basha. Përfaqësuesit e 52 shoqatave, që përfshihen në Unionin e Shoqatave Shqiptare të Greqisë, e falënderuan përzemërsisht ministrin Basha për pritjen e ngrohtë dhe për angazhimin e përkushtimin e qeverisë Berisha për zgjidhjen e problemeve të tyre. Diskutimet diplomatike mes dy vendeve, vijnë vetëm pak ditë pas vizitës së kryeministrit grek, Kosta Karamalis në Shqipëri. Vizita e tij u konsiderua si e suksesshme dhe vetë kreu i shtetit fqinj deklaroi se mes dy vendeve ka një frymë të mirë dialogu.