E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa dekoron atasheun ushtarak grek

Pasi grekëve iu falëm kufijtë ujorë, disa ditë pas vizitës së kryeministrit grek Kostas Karamanlis në Tiranë, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa ka dekoruar atasheun ushtarak të Greqisë në Tiranë, gjeneral brigade Konstantinos Ksistras, i cili përfundon misionin e tij në Shqipëri. Mesa duket Shqipëria po tregohet tepër miqësore me fqinjën e saj, Greqinë ndërkohë që po ti referohemi të kaluarës, e vërteta është krejt ndryshe. Një gjë është mëse e sigurt, se vizita e kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, edhe pse një ditore, ka pasur një ndikim pozitiv tek qeveria shqiptare. Muajt e fundit janë mbyllur disa nga çështjet e mbetura pezull prej vitesh mes vendit tonë dhe Greqisë. Përmendim këtu marrëveshjen për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë që ranë në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore, dhe ratifikimi nga ana e parlamentit grek i marrëveshjes së stabilizim asociimit të Shqipërisë me BE-në dhe i protokollit të anëtarësimit në NATO. Por, çështja më madhore, që ende mbetet e pazgjidhur ka të bëjë me pronat e shtetasve në dy vendeve, dhe më së shumti të shqiptarëve në Greqi, të sekuestruara si pasojë e ligjit të gjendjes së luftës midis të dy vendeve. Një ligj që, ndonëse është abroguar nga qeveria greke në vitin 1987, ende ruan reminishencat juridike. Një tjetër problem që më së shumti shtrohet në mënyrë mediatike nga pala shqiptare, dhe shumë rrallë nga Tirana zyrtare, është ai i çamëve, të cilin politika greke e quan se nuk ekziston. Në këtë val problemesh, ministri Oketa dekoron atasheun ushtarak grek. Pasi i dorëzoi gjeneral brigade Konstantinos Ksistras medaljen  Për shërbime të shquara, vlerësoi punën dhe kontributin e tij gjatë periudhës tre vjeçare si atashe ushtarak i Greqisë për forcimin e bashkëpunimit midis dy ushtrive tona dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të forcohet më tej tashmë kur Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura janë bërë anëtarë të NATO-s. Ministri Oketa e uroi ushtarakun e lartë grek për gradimin kohët e fundit me gradën gjeneral brigade dhe i shprehu atij suksese në karrierën e mëtejshme ushtarake. Gjeneral brigade Ksistras shprehu kënaqësinë për vlerësimin që ministri i Mbrojtjes, Oketa i bëri punës së tij si atashe ushtarak në Tiranë dhe theksoi se gjatë periudhës që shërbeu në Shqipëri ka gjetur një ambient të ngrohtë dhe ka pasur një komunikim të mirë me Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm dhe ushtarakët shqiptarë, duke realizuar një bashkëpunim të ngushtë midis dy ushtrive dhe dy vendeve tona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›