Rama premton rikthimin në identitet të Muzeut të Shkencave të Natyrës
Kryetari i opozitës, Edi Rama i shoqëruar nga Artan Lame, Besnik Bare, Eduart Shalësi, Lindita Nikolla, Mirela Roshi, Mimi Kodheli, Musa Ulqini dhe Ylli Manjani, është ndalur dje në një takim me drejtues të Muzeut të Shkencave të Natyrës, godina e të cilit pak kohë më parë me vendim të Gjykatës së Lartë i kaloi pronarëve.
Drejtori i Muzeut, vuri në dukje se nuk i është dhënë asnjë lloj leku qoftë edhe për të mirëmbajtur, jo për të konsultuar, por për të mirëmbajtur këto vende, as edhe një lekë për të bërë hidroizolimin, as edhe një lekë për të mbajtur nga poshtë tavanet që po bien. Ndërsa Rama u shpreh se politika duhet ti shërbejë njerëzve, jetës dhe mirëqenies. Pas 28 qershorit ne do të lëvizim në mënyrë konkrete me qëllim që secili të marrë atë që i takon, ka deklaruar Rama. Rama i drejtoi një apel edhe presidentit të Republikës dhe të gjithë njerëzve të shkencës dhe kulturës për të mbrojtur këtë pasuri. Do të jetë rruga e shqyrtimit shumë të imët të fakteve që kanë çuar në këtë vendim absurd, pasi ne nuk mund të jemi shurdhë karshi kësaj pasurie dhe kërkesës së brezave të fëmijëve që do të vijnë, që ua kemi borxh, ka shtuar Rama.