MB: Procesi i aplikimit për kartat e reja të identitetit vazhdon normalisht
Ministria e Brendshme hedh poshtë akuzat e Partisë Socialiste, se procesi i pajisjes së qytetarëve me kartat e reja elektronike është i shoqëruar me probleme dhe anomali. Kjo ministri kërkoi nga përfaqësuesit e Selisë Rozë, të japin kontributin e tyre civil në mbështetje të një prej proceseve më të suksesshme për qytetarët shqiptarë.
Në prononcimin e tij për shtyp, zëdhënësi i kësaj ministrie ka theksuar se procesi i aplikimit për kartat po realizohet me shpejtësi dhe në mënyre perfekte. Gjithashtu, në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja thuhet si nga ana e njësive vendore, ashtu edhe nga zyrat postare në të gjithë vendin, vazhdon normalisht pajisja e qytetarëve, përfitues nga vendimi i fundit i Qeverisë për kompensimin e një shtrese në nevojë të kuponit për aplikim. Më tej ai shtoi se procesi i aplikimit mbulon të gjithë territorin e vendit, duke përfshirë edhe institucionet e vuajtjes së dënimit, burgjet dhe paraburgimet. Zëdhënësi Konja, bëri edhe një vlerësim të punës së deritanishme që është bërë për pajisjen e qytetarëve me kartat e reja të identitetit, duke deklaruar se, kanë aplikuar afro 800 000 qytetarë shqiptarë dhe janë prodhuar mbi 600 000 letërnjoftime, 350 000 prej të cilave tashmë janë në qarkullim. Ministria e Brendshme u ka kërkuar personave që nuk kanë pasaportë që të pajisen me kuponë me vlerën prej 200 lekësh, pasi kjo lloj procedure funksionon normalisht në të gjitha njësitë vendore.