Basha: Për vitin 2010 do ju japim edhe orët suplementare
Veç kritikave dhe shifrave zyrtare në analizën e policisë, një lajm të mirë për uniformat blu ka dhënë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ai u ka premtuar zyrtarisht se në vitin 2010 nuk do të kalojë pa u paguar sipas ligjit asnjë orë suplementare për punën që ata kryejnë. Ministri Basha, duke inkurajuar policinë për punën e kryer dhe duke i kërkuar edhe më shumë impenjim ka deklaruar se tashmë qeveria shqiptare, në buxhetin e policisë ka nxjerrë një zë të veçantë për pagesën e orëve suplementare, veprim i cili për këtë vit nuk është kryer e madje kjo e ka detyruar Sindikatën e Policisë të ngrejë zërin disa herë, me qëllim që drejtuesit e ministrisë dhe policisë t‘i japin zgjidhje këtij problemi. Më tej, Basha vuri në dukje se një problem tjetër për policinë e Tiranës kanë qenë edhe uniformat e tyre, që mendohet se projekti do të realizohet të paktën për ta gjatë vitit që vjen. Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe mjetet e policisë për të qenë në dispozicion të çdo lloj operacioni, që edhe goditja ndaj krimit të organizuar të jetë sa më efikase.