E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vorpsi: Qeveria po blen tokën veresie

Përfaqësuesi i Shoqatës Pronësi për Drejtësi deklaroi se qeveria shqiptare ka marrë vendime shpronësimi të pambështetura me fonde konkrete, duke akumuluar një detyrim të përgjithshëm prej 6.3 miliardë lekësh kundrejt pronarëve, të cilëve u është zaptuar toka nga ndërtuesit pa leje në proces legalizimi.

"Qeveria ka miratuar pesë vendime shpronësimi për një sipërfaqe të përgjithshme prej 35.3 hektarësh, me vlerë totale prej 6.3 miliardë lekësh, ose 46 milionë euro", tha Vorpsi për "Shqip", "por nuk ka dhënë asnjë fond në dispozicion të këtyre shpronësimeve, duke shkelur edhe afatin ligjor prej gjashtë muajsh".

Qeveria ka premtuar se do t‘i paguajë paratë për llogari të të legalizuarve në rastet kur toka e zënë është nën pronësi të të tretëve. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese sanksionon që të legalizuarve nuk mund t‘u jepet certifikata e pronësisë për sa kohë toka në fjalë nuk është shpronësuar dhe paratë nuk janë paguar paraprakisht. Në Shqipëri ka rreth 700 hektarë toka të zëna nga ndërtimet pa leje dhe vetëm 35 hektarët e parë kanë një kosto prej 46 milionë eurosh, të cilat do të duhet të shlyhen nga taksapaguesit, të cilët në shumicë nuk janë as të legalizuar dhe as pronarë. Kostoja e blerjes së tokës për llogari të të legalizuarve mund të kushtojë qindra milionë euro, shifër kjo e barabartë me të gjitha paratë që buxheti harxhon për investime publike në një vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›