Prioritet tjetër, dhuna në familje dhe aksidentet
Për policinë e Tiranës, prioritet gjatë këtij viti, ka qenë evidentimi dhe goditja e krimit të dhunës në familje e kryesisht ndaj grave dhe vajzave. Janë asistuar dhe ndjekur 638 urdhra-mbrojtje të dhunës në familje. Për t‘i dhënë zgjidhjen efikase problemeve të dhunës në familje, përveç trajtimit procedural të rasteve, si dhe të kërkesë-padisë në Gjykatën e Tiranës është bashkëpunuar me një sërë shoqatash jofitimprurëse si Qendrën e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara, Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza të Dhunuara, Qendrën e Aleancës Gjinore për Zhvillim, Strehëzen për Gratë dhe Vajzat e Abuzuara, të cilat kanë dhënë asistencën juridike dhe psikologjike të viktimave. Objektiv i shërbimeve të policisë rrugore ka qenë përmirësimi i elementeve dhe parametrave që ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të këtij shërbimi, në funksion të rritjes së sigurisë rrugore. Në bashkëpunim edhe me Patrullat e Përgjithshme është përballuar një ngarkesë pune, për normalizimin e trafikut në Tiranë. Gjatë vitit 2009, në Qarkun e Tiranës kanë ndodhur gjithsej 587 aksidente me 76 viktima, 69 persona të plagosur rëndë dhe 501 persona të plagosur lehtë. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë beson dhe shpreson se në të ardhmen, me potencialet dhe resurset që zotëron, do të ketë angazhim maksimal në respektimin e të drejtave themelore të njeriut, në luftën e përditshme për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, si dhe në goditjen e krimit të organizuar dhe veprimtarisë kriminale.