Politika tatimore popullore
Rëndësia e një administrate të mirë tatimore ka qenë prej shumë kohësh e qartë për ata që janë të angazhuar me politikat tatimore në vendin tonë. Në praktikë ky shqetësim nuk ka pasur të njëjtën qartësi.
Eksperienca nga bota na sugjeron që nuk është ide e mirë të injorohen dimensionet administrative të reformës tatimore. Ndonjë mund të thotë se pavarësisht se çfarë mendojnë hartuesit e politikave për problemet administrative, ato nuk mund të zgjidhen lehtë dhe shpejt. Njerëzit dhe bizneset që ndeshen me sistemin tatimor në realitet e ndjejnë se nuk mjafton vetëm ligji i shkruar tatimor, por fakti se si aktualisht zbatohet ai në praktikë. Administrata tatimore është mjaft e rëndësishme për produktin e politikës që të mos neglizhohet nga reformatorët e politikës tatimore.
Për fat të keq, administrata tatimore është një detyrë e vështirë edhe në kohët dhe administratat më të mira. Por, administrimi është vetishëm i lidhur me specifikat e vendit dhe i vështirë të përcaktohet në termat e produktivitetit real. Administrata më e mirë nuk është thjesht ajo që mbledh më shumë të ardhura. Lehtësimi i procedurave për bashkëpunuesit me tatimet nuk është çështje e dënimit për pjesën tjetër jo bashkëpunuese. Administrata tatimore varet as më shumë e as më pak në nismat publike dhe ato private dhe efektet reaguese dhe në këtë mes ka një ndërveprim kompleks që lidhet me faktorët e ambientit rrethues, ndikimet specifike të ligjit të procedurave dhe rezultati i përpjekjeve të administratës. E gjithë kjo e bën administratën tatimore një çështje komplekse. Përveç kompleksitetit është e rëndësishme për ata që merren me politikat tatimore dhe efektet e saj në ekonomi që të kuptojnë administratën tatimore. Në një kuptim real "administrata tatimore është politika tatimore". Rezultati i të ardhurave tatimore mund të mos jetë gjithnjë baza më e përshtatshme për vlerësimin e punës së administratës tatimore.
Si janë rritur të ardhurat, efekti i përpjekjeve për gjenerimin e të ardhurave në favor të barazisë së tatimpaguesve, rritja e "pasurisë" politike të qeverisë dhe niveli i mirëqenies ekonomike mund të jenë të barabarta me faktin se sa janë rritur më tepër të ardhurat. Kostot publike, po ashtu si dhe ato private të administratës tatimore, duhet të merren në konsideratë dhe vëmendja e nevojshme duhet t‘i kushtohet faktit se cila e ardhur duhet të jetë objekt i masave shtrënguese.
Tatime të thjeshta
Një nga mësimet më të rëndësishme që vjen nga vende të ndryshme me përvojë në administrimin tatimor është parakushti që reforma tatimore duhet të "prodhojë" një sistem tatimor të thjeshtë, në mënyrë që të sigurojë se do të ketë kuptueshmëri për tatimpaguesit, duke ulur koston e shërbimeve të saj dhe arritjen e një numri sa më të madh prej tyre që ofrojnë t‘i paguajnë detyrimet tatimore në mënyrë vullnetare, pa pasur nevojë të kenë nxitje publicitare apo masa shtrënguese. Përvoja shqiptare paraqet nivele të ndryshme të bashkëpunimit të tatimpaguesve me ligjin. Ambienti tatimor reflekton jo vetëm elemente të një bashkëpunimi me vija të ndërprera, por gjithashtu edhe një ndjeshmëri të lartë të qëndrimit të tatimpaguesve drejt qeverisjes në përgjithësi. Qëndrimi shkon sipas qëllimit dhe qëllimi rezulton me sjellje. Qëndrimet formohen në një kontekst social të tilla si: niveli i perceptueshëm i evazionit, i drejtësisë së strukturës tatimore, kompleksiteti dhe stabiliteti i saj, si administrohet, vlera e lidhur me nismat e qeverisë dhe legjitimiteti i qeverisjes. Politikat qeveritare që ndikojnë mbi çdonjërin nga këta faktorë mundet që gjithashtu të orientojnë qëndrimin e tatimpaguesit dhe si rrjedhojë ato ndikojnë mbi nivelin e bashkëpunimit të tatimpaguesit me tatimet. Një shembull i ndikimit është aplikimi masivisht i dënimeve administrative në ambient tatimpaguesish me nivel bashkëpunimi shumë të ulët.
Është e dobishme të mendosh për problemin e administratës tatimore në tri nivele: arkitekturor, teknologjik dhe menaxherial. Niveli i parë, që tashmë në Shqipëri është duke u kompletuar, lidhet me përcaktimin e strukturës së përgjithshme ligjore, në thelb jo vetëm të ligjeve tatimore, por gjithashtu të përcaktimit të një game të gjerë të tipareve procedurale të rëndësishme. Pas kompletimit të arkitekturës së përgjithshme hyn në veprim teknologjia informatike që vendos rregulla standarde organizative dhe operative për administratën tatimore. Së fundmi, pasi infrastruktura institucionale është ngritur fjalën e kanë menaxherët tatimorë, që janë ngarkuar të administrojnë sistemin tatimor duke bërë punën e tyre.
Por kompleskiteti dhe implikimi i administratës tatimore përsëri mbetet shqetësim, pasi sistemi mund të mbingarkohet lehtësisht nga qeveria me detyra të pamundura. Jeta e administratorit tatimor bëhet më e komplikuar nga ndërrimi i shumë qeverive, që e reflektojnë pjesërisht situatën e pastabilizuar politike dhe ekonomike me ndryshime ligjore çdo vit apo edhe më të shpeshta. Këshillat për ta bërë administrimin më të mirë, por me investime të pakta dhe me mbështetje financiare të dobët janë një dukuri që duhet të korrigjohet dhe mund të konsiderohen si "misioneve të pamundura".
Instrumente tatimore popullore
Një instrument popullor tatimor për t‘u përhapur gjerësisht në vendin tonë do të ishte tatimi në burim, që të mos mbulonte vetëm burimet e të ardhurave tradicionale, të tilla si: pagat, interesat, dividentët, por gjithashtu të shtrihej edhe mbi atë që quhet "autotatim në burim" (ang. reverse withholding), nëpërmjet të cilit blerjet (institucionet publike apo tatimpaguesit e mëdhenj) e mbajnë tatimin në burim nga shitësit (tatimpaguesit e vegjël dhe të mesëm). Por, megjithatë një tatim në burim kaq popullor mund të mos jetë zgjidhja. Administrata tatimore mund të bëhet e aftë të kontrollojë mbajtësit e tatimit në burim për t‘u siguruar që ata do ta dorëzojnë në buxhet shumat e mbledhura dhe të verifikojë shumat që do të kreditojnë tatimpaguesit. Përhapja e këtij instrumenti tatimor popullor nuk do ta përmirësojë bashkëpunimin e tatimpaguesve me tatimet, nëse administrata tatimore nuk është në gjendje të kontrollojë si mbajtësin e tatimit në burim dhe tatimpaguesin që i mbahet ky tatim. Në mbyllje, mendoj se problemi i reformës administrative tatimore është thelbësor nëse i konverton rezultatet e përpjekjeve administrative me investime të përshtatshme në zhvillimin e kuadrit organizativ dhe ligjor, sipas kursit të "bursës" së tatimpaguesve të vet, duke adoptuar teknologji të re dhe promovuar menaxhimin e spikatur si modele për t‘u ruajtur si një lidership dhe pikë referuese e sistemit. Ndërsa është e vështirë të konceptosh një administratë tatimore moderne që kryen detyrat e saj pa përdorur teknologjinë informatike, në mjaft raste pritshmëria e një efektiviteti më të madh nga kompjuterizimi nuk është materializuar ende. Reformat tatimore që janë quajtur si më të suksesshmet nuk e kanë përfshirë kompjuterizimin, por janë mjaftuar vetëm me rihartimin e ligjeve tatimore. Siç kemi parë nga eksperienca, reformat teknologjike të suksesshme kërkojnë riorganizime themelore si në procedura edhe në sistem dhe nuk duhen të jenë në praparojë të tyre. Edhe sistemet më të mira informatike nuk mund të prodhojnë rezultate të frytshme nëse nuk ka nxitje reale nga administratorët tatimorë që ta përdorin sistemin në mënyrë efikase.