Basha: Policia të rrisë efikasitetin kundër krimit
Ndërsa vlerësoi nivelin e zbulueshmërisë së veprave kriminale në masën 88%, Basha kërkoi rritjen e mëtejshme të profesionalizmit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve teknike dhe burimeve njerëzore për të ju përgjigjur sfidave të reja në luftën kundër të gjitha dukurive kriminale. “Përmirësimi i punës parandaluese e zbuluese dhe rritja e forcës goditëse ndaj të gjitha veprimtarive kriminale, forcimi i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm i sigurisë për qytetarët shqiptarë, rritja dhe thellimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat homologe të rajonit dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, duhet të jenë objektivat dhe baza kryesore e punës së Policisë së Shtetit”, u shpreh Basha.Ai e cilësoi si arritje tepër të rëndësishme instalimin e sistemit TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe pajisjen e këtyre pikave me mjetet dhe teknoligjinë më të avancuar të kontrollit, instalimin e sistemit të analizës së informacionit MEMEX në drejtoritë e policisë në qarqe dhe vënien në funksionim të qendrës operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Basha vuri theksin në faktin se një pjesë e rëndësishme e kritereve të përcaktuara për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian ka të bëjë pikërisht me përmbushjen e detyrave të përcaktuara për Departamentin e Kufirit dhe Migracionit. “Kërkoj angazhimin tuaj të plotë për të përmbyllur fazën finale të detyrimeve të përcaktuara në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave përsa i takon menaxhimit të integruar të kufirit. Standartet e vendeve Schengen duhet të jenë pikë për pikë standartet e punës tuaj të përditshme për kontrollin kufitar. Objektivi ynë kryesor në këtë drejtim është marrja e një vlerësimi sa më pozitiv nga ekspertët e Komisionit Europian në misionin e tyre monitorues për kufirin dhe migracionin”, tha më tej kreu i dikasterit të rendit.