E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Akuzat" Rama depoziton në Prokurori padinë ndaj Berishës

TIRANE- Zbardhet e plotë padia që kreu i Partisë Socialiste, njëherazi kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama i ka bërë kryeministrit Berisha duke e akuzuar atë për shpifje për shkak të detyrës. Padia është dorëzuar në organin qëndror të akuzës nga avokatët e Partisë Socialiste. Padia e Ramës ka dy anë, regjistrimin e procedimit penal për fillimin e hetimeve ndaj Berishës si dhe legjitimimin e të dëmtuarit me cilësinë e paditësit me qëllim shpërblimin e dëmtit të shkaktuar. Duke ju referuar neneve të posaçme të Kodit të procedurës penale Rama thotë se i padituri Berisha me detyrë kryeministër në mënyrë të përsëritur dhe botërisht ka konsumuar veprat penale të shpifjes dhe fyerjes për shkak të detyrës. Rama i referohet fjalimeve të ashpra të kryeministrit mbajtur në seancën plenare të 26 nëntorit në sallën e Kuvendit por dhe një konference për shtyp të tij në 2 dhjetor. Në padinë e tij Rama ka përdorur dhe shprehjet e përdorura nga Berisha duke renditur të parën atë për bashkëshorten e cila sipas Berishës është akuzuar nga Rama se e ka djalin me babanë e tij si dhe frazën e Berishës, sipas të cilit Rama i ka mohuar dhe kafshatën e gojës djalit të tij. Rama e cilëson shpifëse përmbajtjen e këtyre frazave dhe që nuk kanë asgjë të vërtetë. “Nuk kam cuar kurrë ndër mend akuza të tilla të përbindshme të cilat i hedh poshtë me neveri kurse djalit tim i kam blatuar të gjithë dashurinë kujdesin dhe ndihmën e nevojshme për tu rritur dhe edukuar normalisht ” thotë në padinë e tij kryesocialisti. Edhe shprehjen tjetër se ka ikur nga shtrati i gruas në shtratin e Dash Pezës, Rama e cilëson një shpifje të pashembullt që meriton të gjithë neverinë dhe ndëshkimin e ligjit. Në mënyrë kategorike Rama hedh poshtë dhe akuza të tjera të kryeministrit që e lidhin atë me botën e mafias apo ato për nënën e tij. Të gjitha këto shprehje, sipas Ramës përmbajnë elemente të shpifjes për shkak të detyrës. “është pikërisht detyra ime, si kreu i partisë më të madhe në opozitë dhe si kreu i bashkisë më të madhe në vend ajo që shtyn Berishën të bëjë akuza të tilla. Janë akuzat për manipulim të votës së 28 qeshorit që detyrojnë kryeministrin të mos kontrrollojë dot fjalët.” thotë në padinë e tij Edi Rama. Pas një verifikimi paraprak, Prokuroria e Përgjithshme do të shprehet nëse e pranon apo jo kallëzimin e kryesocialistit. Nëse e pranon dhe e regjistron atë, atëherë Prokuroria duhet të ëkrkojë heqjen e imunitetit të deputetit dhe kryeministrit Sali Berisha. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›