E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria shkeli afatet për hetimin e “Durrës-Kukës”

26/03/2009  Gjykata e Lartë, vendimi kundër Prokurorisë për një proces të paralajmëruar

Gani Dizdari e quajti të drejtë vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë dhe ajo e Apelit

TIRANË- Prokuroria dështon në Gjykatën e Lartë në hapin e parë të saj. Andi Toma dhe Armand Teliti kanë qenë dje objekt i këtij procesi gjyqësor të nisur që në tetor të vitit 2008 në Shkallën e Parë. E ndërsa Prokuroria u mundua të zbusë realitetin duke mënjanuar Armand Telitin ish-zëvendësministrin e Transporteve nga akuza, e duke lënë Andi Tomën në gjykim, drejtësia reagoi ndryshe. Dje Gjykata e Lartë i dha të drejtë Tomës dhe Telitit për të kundërshtuar zgjatjen e afateve të hetimit. Pas këtij vendimi që nxori të pavlefshëm të gjitha veprimet e akuzës, pritet të jepet një tjetër vendim në këtë gjykata nga një tjetër trup gjykues për Lulzim Bashën dhe Andi Tomën. 18 tetor 2008, vendimi që Sokol Tona dha në këtë datë në favor të Ando Tomës dhe Armand Telitit mbeti dje në fuqi në Gjykatën e Lartë. Trupi gjykues i kryesuar nga Gani Dizdari e quajti të drejtë vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë dhe ajo e Apelit duke i konsideruar në këto kushte të pavlefshme veprimet e organit të Prokurorisë pas datës 6 nëntor deri në datë 6 dhjetor 2008. Në arsyetimin e saj Gjykata e Shkallës së Parë deklaroi se “organi i Prokurorisë së Përgjithshme është duke kryer hetime në lidhje me procedimin penal, nr. 1 të vitit 2007, i cili ka të bëjë me shkeljet ligjore të konstatuara gjatë procedurave të ndjekura për përcaktimin e subjektit, i cili ndërton rrugën Rrëshen- Kalimash, si pjesë e korridorit rrugor Durrës-Kukës, Morinë. Në ndjekje të procedurave ligjore, ai organ, midis veprimeve hetimore të kryera, rezulton të ketë marrë edhe vendimin datë 06.11.2008, në lidhje me zgjatjen e afatit të hetimeve të procedimit penal, nr. 1 të vitit 2007, nga data 06.11.2008, deri në datën 06.12.2008. Duke qenë se midis subjekteve që hetohen për sa sipër, janë edhe shtetasit Armand Teliti dhe Andi Toma, të cilët me vendimin e datës 06.09.2007 të Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë janë marrë si të pandehur duke u akuzuar për kryerjen e veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës, në bashkëpunim", parashikuar nga neni 248 dhe 25 të Kodit Penal, këta të fundit duke mos qenë dakord me vendimin e sipërcituar të zgjatjes së afatit të hetimeve, i janë drejtuar kësaj gjykate me një kërkesë ankimore për shfuqizimin e vendimit të sipërcituar. Gjykata në vështrim të provave që administroi si edhe duke dëgjuar pretendimet e palëve, vlerëson se kërkesa është e drejtë, e bazuar në ligj dhe në prova dhe si e tillë ajo duhet të pranohet.

Dhjetë prilli, vendimi përfundimtar

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 10 prill për t’i dhënë një përgjigje përfundimtare në lidhje me vazhdimin ose mbylljen e procesit gjyqësor të hapur nga Prokuroria kundër Lulzim Bashës dhe Andi Tomës. Të akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe abuzim me fondet për rrugën Durrës-Kukës, ministri Basha i kërkoi Gjykatës së Lartë të mos marrë të mirëqena hetimet e organit të akuzës duke e konsideruar dosjen hetimore të jashtëligjshme. Në këto kushte Basha së bashku me avokatin e Andi Tomës, Genc Gjokutaj, kërkojnë nga gjykata shpalljen si të pavlefshme të hetimeve që kanë të bëjnë pas datës 6 nëntor 2008 deri në 6 dhjetor 2008. Pikërisht brenda këtij afati, Prokuroria ka kryer disa veprime hetimore që kanë të bëjnë me njoftimin e akuzës për ministrin e Jashtëm Lulzim Basha dhe njoftimin e tij se është marrë në cilësinë e të pandehurit. Basha vet ka kundërshtuar akuzën duke e cilësuar jo serioze në veprimet e saj. Ndërsa Gjykata e Lartë caktoi datën 10 prill si të volitshme për të dhënë një vendim përfundimtar që pritet të jetë i njëjtë me atë të dhënë dje nga e njëjta gjykatë, por me tjetër trup gjykues.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›