E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizohen 254 shtesa pallatesh e 1100 ndërtime informale



Gazeta “standard” publikon sot listën e legalizimeve të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave. Bëhet fjalë për listën e 254 shtesave të pallateve në mbarë vendin, 1100 ndërtimet informale në qytetin e Tiranës si dhe listën e 6 pallateve me leje ndërtimi, por të pahipotekuara në Tiranë. Lista e shtesave të pallateve të ndërtuara në mënyrë informale është e shpërndarë në mbarë vendin. Bëhet fjalë për pallatet e vjetra të ndërtuara para vitit 1993, por që me kalimin e viteve janë ndërtuar shtesa informale ngjitur me to. Në numrin e nesërm, gazeta do të publikojë edhe listën e 2200 ndërtimeve informale në të gjitha qarqet e tjera të vendit. Me kalimin në Këshillin e Ministrave, këto ndërtime informale duhet të paguajnë tarifën e përcaktuar në ligj për të legalizuar pronën. Më pas, prona shkon në Hipotekë nga ku ligjërohet tërësisht dhe jepet certifikata e pronësisë. Shuma mund të paguhet me këste, por në rast se paguhet menjëherë, përfitohet 20 për qind ulje. Njëkohësisht, për familjet në nevojë, do të ndërmjetësohet që të merret një kredi me interes zero. Ligji përcakton se për ndërtimet jashtë vijës së verdhë, me një tokë më pak se 500 metra katrorë, do të paguajnë jo më shumë se 4 milionë lekë të vjetra, kjo në varësi të madhësisë së ndërtimit. Ndërtimet brenda vijës së verdhë nën 200 metra katrorë do të paguajë të njëjtën sasi, pra më pak se 4 milionë lekë. Por në rast se pronari i ndërtimit posedon më shumë se 500 metra tokë jashtë vijës së verdhë dhe më shumë se 200 metra tokë brenda vijës së verdhë, ai duhet të paguajë në vlerë tregu. Tarifa të tjera përdoren për shtesat e pallateve pa leje. Pronari i ndërtimit pa leje, që në momentin që i legalizohet banesa, ka 3 vjet afat për ta paguar atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›