Pushteti lokal shet bonot e thesarit
Pushteti lokal ka të drejtë të shesë bonot e thesarit. Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin për obligacionet për Shoqëritë Aksionere dhe Pushtetin Lokal, duke krijuar për herë të parë një hapësirë të tillë. Projektligji përcakton se bashkitë dhe komunat mund të emetojnë ose lëshojnë bono thesari, të cilat mund të blihen nga qytetarët dhe bizneset. Të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe shoqëritë aksionere, që mund të lëshojnë bono thesari ose obligacione. Ky projektligj do të bëjë të mundur që Pushteti Lokal të përfitojë financime shtesë, në të njëjtën mënyrë që bën qeveria qendrore, duke shitur letra me vlerë nëpërmjet interesave të caktuara. Projektligji i qeverisë përcakton formën që pushteti lokal dhe sh.a.-të duhet të ndjekin, në mënyrë që të marrin borxh duke shitur letra me vlerë. Sipas projektligjit, përcakton një person përgjegjës i cili bën të gjithë punën e kërkuar për shitjen e letrave me vlerë. Tashmë këto institucione mund të lëshojnë, ashtu si qeveria qendrore, obligacione me maturim deri në 5 vite. Qytetarët, ashtu siç bëjnë në Bankën e Shqipërisë kur blejnë bono thesari të qeverisë, mund të blejnë edhe bono të lëshuara nga bashkitë, komunat ose sh.a.-të.
Projektligji
1. Ky ligj zbatohet për obligacionet e:
a) shoqërisë aksionare, me zyrë qendrore në Republikën e Shqipërisë;
b) qeverisë vendore.
2. Ky ligj nuk zbatohet në rastet e obligacioneve të qeverisë së Republikës së Shqipërisë apo të Bankës së Shqipërisë.
Neni 3
Llojet dhe seritë e obligacioneve
1. Obligacionet emetohen në formë të dematerializuar në rastin kur ofrohen nëpërmjet ofertës publike. Obligacionet mund të emetohen në formë të materializuar, në letër, në rastin kur ofrohen nëpërmjet ofertës private.
2. Përveç llojeve të obligacioneve të përkufizuara në ligjin për titujt, Autoriteti ka të drejtë të përcaktojë, me anë të një rregulloreje, lloje të tjera obligacioni, të cilat emetohen dhe tregtohen në Republikën e Shqipërisë.
3. Obligacionet emetohen në disa seri dhe vlera nominale e obligacionit mund të jetë e ndryshme në çdo seri.
4. Lejohet lëshimi i certifikatës së obligacionit apo i certifikatës shumëfishe të obligacionit.
Neni 4
Obligacionet në letër
1. Certifikata e obligacionit në letër përfshin elementet e mëposhtme:
a) Emrin e emetuesit, adresën e zyrës qendrore, numrin e regjistrimit në QKR;
b) Llojin, garanci nëse ka vendin dhe datën e emetimit të obligacionit dhe të regjistrimit të tij në QKR;
c) Vlerën nominale të çdo obligacioni;
ç) Vlerën totale nominale të obligacionit;
d) Emrin e zotëruesit të obligacionit;
dh) Vendin, kohën dhe mënyrën e ripagimit të obligacionit;
e) Nënshkrimin e përfaqësuesve ligjorë të emetuesit;
ë) Të dhënat e nevojshme për përcaktimin e të drejtave të zotëruesit të obligacioneve dhe, në veçanti, të garancive për obligacionet, të së drejtës së konvertimit apo të drejtën për të marrë pjesë në fitimet e emetuesit;
f) Numri i serive të obligacioneve;
g) Nivelin e interesit, nëse obligacioni mbart interes, si dhe mënyrën e kohën e pagesës së tij;
gj) Çdo të drejtë të emetuesit për përfundimin para afatit (ripagimit të borxhit) të obligacionit;
h) Vlerën e kapitalit themeltar të emetuesit dhe vlerën, që rezulton në datën e emetimit, në rastin kur emetuesi është shoqëri aksionere.
2. Dispozitat e Kodit Civil dhe të ligjit për titujt do të zbatohen për transferimin e obligacioneve në letër.
3. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miraton një limit për shumën e përgjithshme të obligacioneve, që mund të emetojë shoqëria aksionere.
Neni 5
Obligacionet e dematerializuara
1. Obligacionet e dematerializuara regjistrohen sipas dispozitave të parashikuara në ligjin për titujt, pranë regjistrarit të zgjedhur nga emetuesi. Llogaritë e obligacioneve të dematerializuara mbahen në përputhje me ligjin për titujt.
2. Kujdestari përgjigjet për regjistrimet hyrëse, regjistrimet e dhënies, të veprimeve dhe pagesave të obligacioneve, për llogari të emetuesit.
3. Asetet, që përdoren për përmbushjen e detyrimeve, të cilat rrjedhin nga obligacioni, transferohen nga kujdestari te zotëruesit e obligacioneve, menjëherë pas marrjes së këtyre aseteve nga emetuesi.
4. Regjistrari lëshon për zotëruesit e obligacioneve, të cilët kanë një llogari me të, certifikata dhe vërtetime për çdo ndryshim në llogari.
Neni 6
Tregtimi i obligacioneve të dematerializuar
Tregtimi i obligacioneve të dematerializuar kryhet në përputhje me ligjin për titujt.
Neni 7
Kalimi i të drejtave të obligacioneve të dematerializuara
1. Përveçse kur përcaktohet ndryshe në nenin 8, të këtij ligji, ndryshimi apo regjistrimi në llogari i titullit është i pavlefshëm, nëse ndërmjetësi përkatës nuk është autorizuar, nga kujdestari apo me vendim gjykate, të kryejë ndryshimin apo regjistrimin e mësipërm.
2. Të gjitha pagesat nga emetuesi te zotëruesi i obligacionit, që rrjedhin nga obligacioni i dematerializuar, duhet të kryhen nga kujdestari, nëpërmjet rakordimit me Regjistrarin.
Neni 8
Blerja e obligacioneve të dematerializuara në mirëbesim
1. Nëse obligacionet e dematerializuara kreditohen në llogari në kohën kur një palë e tretë ka të drejta mbi këta tituj dhe zotëruesi i këtij titulli ka dijeni apo, nga pakujdesia, nuk merr parasysh të drejtat e palës së tretë, dhe kreditimi i mësipërm mund të cenojë të drejtat e palës së tretë, për këtë interesim/pretendim:
a) kujdestari nuk cenohet nga të drejtat e palës së tretë;
b) kujdestari nuk mban përgjegjësi para palës të tretë;
c) kreditimi është i vlefshëm dhe nuk anulohet me arsyetimin se të drejtat e palës së tretë shkaktojnë pavlefshmërinë e çdo debitimi apo kreditimi të mëparshëm të një llogarie tjetër titujsh.
2. Pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe për pengun mbi obligacionet e dematerializuara.
Neni 9
Çështje të veçanta
1. Obligacionet e prurësit, që paguhen me dorëzim, nuk emetohen për një periudhë pa afat.
2. Me përjashtim të dispozitave të këtij kreu mbi obligacionet e dematerializuar, emetuesi detyrohet t’u lëshojë dhe dorëzojë certifikatë obligacioni zotëruesve të obligacioneve. Në rast se janë lëshuar certifikata shumëfishe të obligacioneve, me kërkesë të zotëruesit të tyre, emetuesi detyrohet të zëvendësojë certifikatat e mëparshme me certifikata të reja, që përmbajnë një numër më të vogël obligacionesh.
3. Emetuesi ka të drejtë të emetojë certifikata të përkohshme, deri në lëshimin e certifikatave përfundimtare të obligacioneve.
KREU II
KUJDESTARI
Neni 10
Veprimtaria e kujdestarit
Kujdestari, në përputhje me ligjin për titujt, përgjigjet për kleringun dhe shlyerjen e transaksioneve për titujt, që mbahen në llogari.
Neni 11
Licencimi i kujdestarit
1. Ushtrimi i veprimtarisë së kujdestarit licencohet nga autoriteti, në përputhje me aktet ligjore në fuqi.
2. AMF-ja përcakton, me rregullore, afatet, kushtet dhe procedurën për licencimin e kujdestarit.
Neni 12
Informimi nga kujdestari
1. Kujdestari informon me shkrim, përpara kryerjes së transaksionit, zotëruesit e obligacioneve, që tregtojnë obligacione të dematerializuara në tregjet mbi banak, për çmimin e blerjes dhe të shitjes së obligacioneve. Në mënyrë të veçantë, njoftimi përcakton çdo komision, tarifë, shpenzim apo diferencën, ndërmjet çmimit të shitjes dhe atij të blerjes, si dhe diapazonin e luhatjes së çmimit të këtyre obligacioneve në ditën paraardhëse të tregtimit.
2. Autoriteti mund të përcaktojë, me rregullore, detyrime të tjera specifike për kujdestarët, në lidhje me informacionin që i jepet zotëruesve të obligacioneve, për obligacionet e tregtuara në tregjet mbi banak.
Neni 13
Mbikëqyrja, sanksionet, konfidencialiteti
1. Autoriteti mbikëqyr veprimtarinë e kujdestarit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi.
2. AMF-ja e tërheq licencën e kujdestarit nëse ky i fundit nuk i përmbush më kërkesat e përcaktuara nga ky ligj.
3. Në rast se kujdestari shkel detyrimet e parashikuara në ligj, autoriteti vendos gjobë, në përputhje me ligjin për titujt. AMF-ja përcakton, me rregullore, veprimet korrektive, që duhet të ndërmarrë kujdestari.
4. Kujdestari është i liruar nga detyrimi ndaj klientit për ruajtjen e konfidencialitetit, në lidhje me veprimet në llogari, kreditimin dhe debitimin e llogarisë, me kleringun dhe shlyerjen e transaksioneve me titujt e regjistruar në llogari apo në lidhje me çdo çështje tjetër të rëndësishme për kryerjen e funksioneve mbikëqyrëse të autoritetit, kur informacioni konfidencial kërkohet nga ky i fundit.
KREU III
PROGRAMI I HUASË ME OBLIGACIONE
Neni 14
Përmbajtja e programit
1. Çdo obligacion shoqërohet nga një program huaje.
2. Programi i huasë përmban me hollësi kushtet dhe afatet e obligacionit. Programi është i detyrueshëm për t’u zbatuar për emetuesin, zotëruesin e obligacioneve dhe pasardhësit e tyre, si dhe nga çdo palë e tretë përfituese.
3. Programi i huasë miratohet nga organi vendimmarrës i emetuesit, i cili është përgjegjës për emetimin e obligacionit.
4. Programi i huasë hartohet me një gjuhë, të qartë dhe të kuptueshme, dhe përfshin informacionin e përmendur ne nenin 17, të ligjit për titujt, dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm, që mund të përdoret nga investitorët, për të bërë vlerësime objektive për pritshmërinë dhe rreziqet e investimeve.
Neni 15
Ndryshimi i programit të huasë
1. Çdo ndryshim në programin e huasë miratohet, paraprakisht, nga grupi i zotëruesve të obligacioneve, siç përcaktohet në nenet 16 e 23, të këtij ligji.
2. Grupi i zotëruesve të obligacioneve, me vendim të posaçëm, autorizon agjentin e zotëruesve të obligacioneve për të negociuar dhe rënë dakord me emetuesin, për ndryshimin e programit të huasë. Vendimi për autorizimin merret në përputhje me nenin 22, të këtij ligji.
3. Vendimi i grupit të zotëruesve të obligacioneve përcakton çështjet, për të cilat agjenti i zotëruesve të obligacioneve mund të bëjë negociim dhe marrëveshje, duke përfshirë, gjithashtu, udhëzime të veçanta për negociatat. Agjenti i zotëruesve të obligacioneve duhet ta zbatojë këtë vendim dhe mban përgjegjësi për çdo dëm, të shkaktuar nga shkelja e porosive të zotëruesve të obligacioneve.
4. Vendimi për autorizim i grupit të zotëruesve të obligacioneve i njoftohet menjëherë emetuesit, nga agjenti i zotëruesve të obligacionit.
KREU IV
GRUPI I ZOTËRUESVE TË OBLIGACIONEVE
Neni 16
Organizimi i zotëruesve të obligacioneve në grup
1. Organizimi i zotëruesve të obligacioneve në grup është i detyrueshëm në çdo rast të emetimit të obligacioneve, ku marrin pjesë, të paktën, dy zotërues obligacionesh. Grupi i zotëruesve të obligacioneve nuk ka personalitet juridik. Në rastin kur vetëm një zotërues obligacioni është pjesë e obligacionit, ai ushtron, në mënyrë të barabartë, të drejtat e të gjithë grupit.
2. Data dhe vendi për mbledhjen e parë përcaktohen nga emetuesi menjëherë pas emetimit të obligacioneve dhe, në çdo rast, jo më vonë se 30 ditë nga data e mbulimit të emetimit të obligacioneve. Për emërimin e agjentit të zotëruesit të obligacioneve në mbledhjen e parë të zotëruesve të obligacioneve do të zbatohet neni 26, i këtij ligji. Në rast të pamundësisë apo të refuzimit, pa shkak ligjor, të emetuesit.