E Hënë, 2 Nëntor 2026

Basha: Puçi ndaj shtetit i organizuar, SHISH asnjë informacion

“Nga informacionet paraprake dhe nga analiza që vazhdon t’i bëhet ngjarjes, u identifikuan 10 deri 15 grupe pesëanëtarëshe, të cilët rezultojnë të trajnuar. Ata komandoheshin nga linja të gjata para ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Në mesin e turmës spikasin një numër i madh persona me precedentë penalë, persona të dënuar më parë për krime të dhunshme me armë zjarri”, tha Basha.

Ai shtoi se “për 5 orë forcat e rendit dhe Garda përballuan me vetëpërmbajtje përshkallëzimin e koordinuar nga një turmë e cila ishte e organizuar, e drejtuar dhe e komanduar. Pas 5 orësh sulmesh ndaj Kryeministrisë, shkallmimit të derës, goditjes së punonjësve të policisë dhe Gardës së Republikës, si rezultat i rezistencës së forcave të rendit, ky operacion sulmi ndaj godinës së kryeministrisë mori fund. Policia arrestoi në flagrancë dhjetëra persona”. Ministri i Brendshëm u shpreh se objektivi kryesor i demonstratës ishte marrja e selisë së kryeministrisë, dhe nëse kjo nuk do të arrihej, objektivi i dytë ishte krijimin i një gjendje anarkie.

“Objektivi dytësor ishte shkaktimi i paevitueshëm i viktimave si kauzë, me qëllim shkaktimin e anarkisë për zëvendësimin e qeverisë, për të bërë më pas zgjedhje të parakohshme. Kam bërë thirrje të vazhdueshme për distancimin e PS-së nga aktorët kriminalë. Përzierja e veprimtarisë kriminale në PS, është evidente prej më shumë se një viti”, tha Basha. “Është e qartë se kemi të bëjmë me një operacion të mirëorganizuar. Gjatë arrestimeve u janë gjetur para euro në xhep, çka do të thotë se ata ishin të paguar. Ndonëse kishte informacione për përdorues droge, ky proces është ende nën vëzhgim”, shtoi ai.

Më tej, kreu i rendit u shpreh se Policia e Shtetit dhe forcat e Gardës së Republikës kanë punuar dhe vepruar sipas ligjit. “Në përputhje me ligjin, Policia dhe Garda bazuar në informacionet e marra hartuar plane të posaçme. Ky plan kishte të bënte me një demonstratë paqësore. Plani ka qenë i detajuar edhe për të evidentuar persona me precedentë penalë. Ky plan ishte bërë edhe në bashkëpunim me prokurorinë. Paraprakisht në përputhje me ligjin, Prokuroria e Shtetit ka kërkuar informacion nga Shërbimi Sekret Shtetëror, i cili nuk ka dhënë informacion specifik”, tha gjithashtu.

Ai foli edhe për urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria për drejtuesit e Gardës. “Eliminimi i Komandës së Gardës do të thoshte dhe do të thotë demoralizim i plotë i të gjithë efektivit. Ky ishte një mesazh shkatërrimtar për çdo efektiv në çdo komisariat të vendit”, shtoi ai.  Ai akuzoi edhe Shërbimin Informativ Shtetëror se nuk ka dhënë asnjë informacion rreth ngjarjes.

                                                                                             2011-02-01 18:15
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›