E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Rama përbalt çdo arritje të shqiptarëve



Deputetët demokratë vazhdojnë fushatën në bazë të partisë, ku përveç ekspozesë së punës së qeverisë në këto 4 vjet, kanë ironizuar dhe programin elektoral të PS-së dhe kanë akuzuar kreun e kësaj partie, si mohues të arritjeve të Shqipërisë. Ministri i Jashtëm, njëkohësisht anëtar kryesie i PD-së, Lulzim Basha, ishte dje në Elbasan, ku mori pjesë në zgjedhjet lokale të degës së partisë në këtë rreth. Kryetari i kësaj dege është zgjedhur me shumicë votash Luçiano Boci. Duke folur për projektet e qeverisë ku ai bën pjesë, Basha tha se “ne i dhamë shqiptarëve atë që prisnin, i rikthyem besimin dhe e futëm në rrugën e pakthyeshme të integrimit euroatlantik dhe evropian. Mbi 18 mijë punonjës, teknikë, topografë dhe inxhinierë i janë drejtuar sot mbi 45 kantiereve madhështore nga Kalimashi në Reps, nga Hani i Hotit në Shkodër, nga Levani në Tepelenë, nga Vlora në Levan, nga Korça në Qafë Plloçë dhe së shpejti nga Tirana në Elbasan, për të ndërtuar mbi 2 mijë kilometra rrugë dhe autostrada të standardeve më të larta që ka njohur ndonjëherë rajoni i Evropës Juglindore”. Por në këtë kontekst, ai ka kritikuar qëndrimin mohues të kreut të opozitës. Arritjet e Shqipërisë, - tha Basha, - nuk mund t’i kthejë pas Edi Rama me gjithë përpjekjet e tij për të përbaltur çdo arritje të këtij vendi. Në këtë kritikë i është referuar qëndrimeve të kryesocialistit ndaj anëtarësimit në NATO dhe rrugës Durrës-Kukës, projekti i së cilës u vu në jetë kur Basha ishte ministër i Transporteve. “Edi Rama nuk e shikon dot sot Shqipërinë në NATO, Edi Rama nuk e shikon rrugën Durrës-Kukës, Edi Rama nuk i nxjerr dot të vdekurit dhe t’i rivrasë për qëllimet e tij politike, prandaj është në krizë dhe nuk ka drogë që ta shpëtojë”, - tha ministri. Ndërkaq Basha ka ripërsëritur premtimin se brenda një viti, shqiptarët do të lëvizin pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian, sikundër kjo mazhorancë e drejtuar nga Sali Berisha do të realizojë aplikimin për statusin kandidat për në BE dhe afrimin e mëtejshëm me këtë union.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›