Diplomati amerikan, Frank Wisner, në Shqipëri me ftesë të Bashës
Me ftesë të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ish-i dërguari special i SHBA-së në procesin e negociatave për zgjidhjen e statusit final të Kosovës, ambasadori Frank Wisner po zhvillon një vizitë në Shqipëri. Gjatë vizitës, ambasadori Wisner po zhvillon takime me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare, si dhe është ftuar për të ndarë përvojën e tij të gjatë në fushën e diplomacisë, me studentët e disa prej universiteteve të Shqipërisë. Gjithashtu, diplomati amerikan do të njihet me disa nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Për nder të ambasadorit Wisner, më datë 14 prill, ministri Basha shtroi një darkë pune. Gjatë bisedës, z. Basha kujtoi rolin themelor të SHBA-së në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës dhe falënderoi ambasadorin Wisner për kontributin e tij personal gjatë procesit të negociatave që kulmoi me pavarësinë e Kosovës. Nga ana e tij, ambasadori Wisner falënderoi autoritetet e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të procesit të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, duke e vlerësuar si një tjetër shprehje të rolit konstruktiv dhe moderues të Shqipërisë në rajon.