E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Për opozitën kanë rënë kambanat e humbjes



Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, zhvilloi takime me banorë të komunave Xhafzotaj, Gjepalaj dhe Katund i Ri. Ai foli për zgjedhjet e 28 qershorit dhe koalicionin që po krijon PD-ja në funksion të këtyre zgjedhjeve. Ai theksoi se do të jetë një koalicioni i gjerë i partive të djathta nën drejtimin e Partisë Demokratike. “PD do të hyjë në këto zgjedhje në krye të një koalicioni të madh fitues, si lokomotiva e progresit të madh të Shqipërisë”, - u shpreh Patozi. Por kundërshtari që ka përballë PD-ja, sipas deputetit demokrat, nuk sjell asnjë alternativë. “Partia Demokratike ka përballë saj një Parti Socialiste gjithnjëë e më shumë të vetmuar, një Parti Socialiste të pllakosur nga zija e mërzia, një Parti Socialiste në krye të së cilës qëndron simboli i korrupsionit”, - tha ai, duke përmendur lejet e ndërtimit dhënë Delijorgjit nga ana e Edi Ramës. Duke u ndalur tek mungesa e alternativave të së majtës, kreu i grupit parlamentar demokrat tha se programi që shpalli dy ditë më parë kryetari i PS-së, me slogane bajate të tipit: “Do të ecim përpara me forcat tona apo do të prodhojmë bukën në vend”, janë dëshmi se në kampin e opozitës kanë rënë kambanat e humbjes. “Rama vazhdon të tregojë përralla për kartat e identitetit, ndërkohë që Partia Demokratike po bën realitet premtimin për pajisjen me to të të gjithë shqiptarëve në një kohë rekord (vetëm në Komunën Xhafzotaj ky proces është realizuar në masën 90%)”, - tha Patozi, duke shtuar se marrja e kartave të identitetit dhe pajisja e qytetarëve me pasaportat e reja biometrike, do garantojë lëvizjen e tyre të lirë në të gjitha vendet e Evropës brenda vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›