Basha: Raporti i KLSH?
Lulëzim Basha përpos faktit që s'është në dijeni të raportit, shprehet se procedurat që janë ndjekur për rrugën, janë të niveleve shumë të larta
Nuk jam në dijeni
TIRANË- Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme ka pohuar dje se ende nuk është njohur me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili konstaton shkelje dhe abuzime në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. I pyetur nga "Zëri i Amerikës" lidhur me këtë raport, ministri Basha është shprehur se nuk është njohur me të dhe fjala e fundit i takon drejtësisë, duke qenë se ai është dorëzuar pranë institucioneve të saj. Gjithsesi, ish-kreu i Transporteve, të cilit i është hequr imuniteti dhe është në ndjekje penale për rrugën Durrës-Kukës, tha se nuk lëviz nga qëndrimi i tij se rruga është investimi më madhor i kryer ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, ashtu siç është dhe investimi më transparent i kryer ndonjëherë. "Unë nuk jam njohur me raportin, pasi kam qenë në udhëtim. Sigurisht që institucionet kanë tagrin e tyre për të vepruar në këtë drejtim dhe fjala e fundit i takon gjithmonë drejtësisë. Unë i mbetem asaj që, ky është investimi jo vetëm më madhor në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por edhe investimi më transparent i kryhet ndonjëherë dhe këtu fus çdo lloj investimi, nga ato më të vogla, tek ato më të mëdha", -tha Basha. Ndërkohë, i gjendur para pyetjes që vinte në dukje faktin se raporti i KLSH-së konstaton shkelje në procedurat e tenderimit dhe të ndërtimit të rrugës, ministri Lulzim Basha i ka hedhur poshtë këto konstatime. Ndonëse tha se nuk njihet me detajet e raportit, ai ripërsëriti se, procedurat e tenderimit të rrugës janë të niveleve më të larta ndërkombëtare, transparenca e të cilave është vërtetuar dhe pranuar nga partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në këto procedura. "Rruga e Kosovës, e cila është rruga e integrimit Euroatlantik është e pandalshme, pavarësisht interesit të palëve për ngadalësimin e këtij ritmi. Shqipëria do të ecë e vendosur në këtë drejtim dhe investimet në këtë infrastrukturë tregojnë vendosmërinë e vendit, për t'i hapur rrugë shqiptarëve kudo që janë",- tha Basha. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i dërguar në Prokurori, konstaton një sërë shkeljesh dhe abuzimesh të mëdha financiare në rrugën Rrëshen-Kalimash, si dhe i bashkëngjitet një listë akuzash penale dhe civile për punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Referuar raportit, dëmi financiar shkon në 100 milionë euro. Në të cilësohet me shkelje kontrata e lidhur me kompaninë "Bechtel-Enka", e cila, thuhet në raport, ka sjellë pasoja ekonomike sidomos në çmimet dhe volumet e punës të përllogaritura nga kompania e që shkojnë, sipas Kontrollit, në 52 milionë euro. Ndërsa 49 milionë të tjera janë taksa që autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër t'i paguajnë për llogari të kompanisë ndërtuese.