E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti për drejtësinë, ja paketa e plotë

Projekt-propozimi i PS-së ndahet në 7 kapituj, ku përfshihen sugjerimet për reformën në sistemin gjyqësor, Prokurori, financimin e sistemit të drejtësisë etj.
Brenda datës 10 mars, forcat politike duhet të kenë miratuar paktin kombëtar me propozimet konkrete
TIRANË- Partia Socialiste konkretizon në një dokument konkret, nismën e saj për arritjen e një pakti kombëtar për drejtësinë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka bërë publik dje projekt-propozimin e forcës që ai drejton, në lidhje me çështjet dhe afatet në të cilat duhet të realizohet reforma në sistemin e drejtësisë. Duke ftuar të gjitha forcat politike parlamentare, që brenda datës 10 mars të kenë miratuar paktin kombëtar me propozimet konkrete të fushës së veprimit, si faza e parë dhe afatshkurtër e reformës në drejtësi, Partia Socialiste ka hedhur për diskutim një material të detajuar me çështjet konkrete që duhet të përfshijë kjo reformë. Projekt-propozimi i PS-së ndahet në 7 kapituj, ku konkretisht përfshihen sugjerimet për reformën në sistemin gjyqësor, Prokurori, financimin e sistemit të drejtësisë, zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve, raporti i sistemit gjyqësor me gjykatat evropiane, arsimimi juridik dhe plani i veprimit afatshkurtër.
Gjyqësori
PS propozon rishikimin e skemës së organizimit të gjykatave, duke synuar shtrirjen kapilare të shërbimit gjyqësor në të gjithë territorin e banuar të Republikës dhe garancinë e aksesit të barabartë të çdo qytetareje e qytetari në këtë shërbim. Gjithashtu një efektshmëri në lëvrimin e shërbimit gjyqësor përmes specializimit të shërbimit, vënies në përdorim të një sistemi funksional e unik të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, që garanton transparencë dhe përgjegjshmëri në punën e gjykatës. Socialistët propozojnë forcimin e administrimit të gjykatave, përmes përcaktimit të qartë të statusit, mënyrës së rekrutimit dhe karrierës në administratën gjyqësore. Në vijim të kësaj pike, selia rozë parashikon rishikimin në vijimësi i statusit të gjyqtarit, me qëllim krijimin dhe konsolidimin e një trupe elitare funksionarësh publikë, përmes kontrollit rigoroz të hyrjes në profesion nëpërmjet përshkrimit sa më të plotë dhe më të detajuar në ligj të procedurave, që sigurojnë konkurrencën në përzgjedhjen e kandidatëve për Magjistratë e gjyqtarë duke u bazuar në kritere objektive e transparente. Gjithashtu, në paktin e saj selia rozë parashikon vendosjen e një afati 3-vjeçar prove për gjyqtarët e rinj, si dhe të kritereve e procedurave sa më objektive, transparente e të detajuara në ligj, për konfirmimin e tyre në karrierë gjyqësore. Gjithashtu PS propozon dhe një trajtim financiar të veçantë për gjyqtarin. Në paktin e propozuar kërkohet edhe rishikimi në vijimësi i skemave të qeverisjes së gjyqësorit, me qëllim pavarësimin e plotë të këtij pushteti nga politika.
Prokuroria
Një nga institucionet ku duhet të ndërhyhet në kuadër të kësaj reforme, për PS-në, është edhe sistemi i Prokurorisë. Efektshmëri në këtë drejtim do të sillte, sipas selisë rozë, ridimensionimi i rolit të Këshillit të Prokurorisë në emërimin, vlerësimin, ngritjen në detyrë, transferimin dhe procedimin disiplinor të prokurorëve, duke e kthyer këtë organ si të vetmin forum kolegjial përgjegjës për propozimet, karrierën dhe masat disiplinore ndaj prokurorëve. Një propozim tjetër që përmban pakti në fjalë, është edhe ai për ridimensionimin e rolit të Prokurorit dhe Policisë Gjyqësore duke e përcaktuar prokurorinë në një mbikëqyrës të hetimit penal dhe përfaqësues i vetëm i akuzës në gjyq, por duke ia deleguar realisht Policisë Gjyqësore kompetencat e hetimit dhe një pjesë të veprimeve procedurale gjatë hetimit. Gjithashtu PS propozon edhe kufizimin kohor të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Për të garantuar një mirëfunksionim të sistemit të drejtësisë në tërësi PS parashikon në paktin e saj dhe rritjen e pagave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, në atë masë që të jetë si mburojë ndaj presioneve që synojnë të ndikojnë vendimet e tyre dhe më në përgjithësi sjelljen e tyre, duke ndihmuar ne garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›