Mbyllja e Televizionit A1, situatë dramatike e lirisë së mediave
Intervista / Mbyllja e Televizionit A1, flet Brixhida Kokedhima drejtoreshe e kompanise Spekter sh.aSi është historia e faturës afrofe dhe ndërprerjes së energjisë elektrike? Në muajin Maj, punonjësit e KESH na lajmëruan se pas disa matjeve që kishin bërë në transformatorët e tyre, e kanë faturuar gabimisht më pak energjinë e A1 Televizion dhe për këtë arsye do të faturonin edhe njëherë sa kishin faturuar që nga lidhja e kontratës në vitin 2002. U ulëm të bisedonim me ta NË QERSHOR 2007 dhe ram dakord që ky ishte një vendim i njëanshëm dhe që të ishte Gjykata e Tiranës, institucioni që të zgjidhte pretendimet e KESH. Pas kësaj KESH rilidhi energjinë të cilën e kishte ndërprerë 24 orë më parë. Në datën 13 dhjetor, pasi gazeta "Shekulli" kishte botuar një shkrim i cili kritikonte KESH pse shiste energji jashtë ndërkohë që në vend kishte kufizime, punonjësit e KESH u paraqitën dhe rindërprenë energjinë pavarësisht procesit gjyqësor ku ishin zhvilluar dy seanca dhe pavarësisht se ne kishim paguar normalisht energjinë që ata faturonin sipas leximit të matësit. Si e komentoni vendimin e ERE-s për rilidhjen e energjisë elektrike? I logjikshëm. Në këto ditë ndërprerje ne kemi harxhuar 60 litra karburant në orë ose gati 70.000 euro karburant dhe na është prishur një gjenerator 250 KVA, i cili ka kushtuar mbi 70.000 euro. Ndërsa për pjesën e vendimit ku na kërkohet të negociojmë për të paguar me këste energjinë e faturuar gabimisht më pak në 12 muajt e fundit, ne ndonëse do ta paguajmë vlerën e rritur pasi KESH të na dërgojë faturën do vazhdojmë ta ankimojmë në gjykatë, pasi nuk kemi asnjë besim se ajo që . thotë KESH, se kanë faturuar më pak, është e vërtetë. Për më tepër kemi procesverbale të ndryshme, ku KESH ka kontrolluar matësat dhe nuk ka konstatuar asnjë gabim. Ku e bazoni ju kundërshtimin tuaj rreth pretendimeve të KESH-it? Shikoni arsyetimin e vendimit të ERE-s se sa shkelje ligjesh ka bërë KESH në këtë vendim. KESH deklaroi se nga një korriku i vitit 2007 e këtej korrigjoi koeficientin e transformimit të matësit elektrik duke e shumëzuar me dy, që do të thotë se konsumi i energjisë së A1(duke mbajtur parasysh edhe rritjen e aktivitetit tonë sivjet) nga një korriku e këtej do të duhej të ishte dy deri në tre herë më i lartë se në vitet e shkuara. Kjo gjë nuk vërtetohet nga faturat që lëshoi KESH nga korriku deri në dhjetor të vitit 2007. Ka muaj të cilët kanë pasur konsum më të lartë në vitin 2006 në krahasim me vitin 2007, pavarësisht se në vitin 2007 aktiviteti i TV ka qenë nërritje të vazhdueshme. Në muajin Shtator ne kemi paguar 3,960 lekë më pak se në shtator 2006, ndërkohë që në tetor kemi paguar 3,080 lekë më shumë. Këto shifra hedhin poshtë në mënyrë të qartë pretendimin e KESH se në 2006 e në të shkuarën, matësat e KESh kanë regjistruar vetëm gjysmën e energjisë faktike të shpenzuar. Mos jeni pak paragjykuese për dejtuesit e KESH-it? E kuptoj ngacmimin tuaj. Po në në të vërtetë ne i i paragjykojmë ato që thonëdretuesit e KESH-it. Edhe faturat e KESH për të qenë të sinqertë stafet tona nuk i besojnë si serioze. Është një mardhënie e thyer sigurisht. Jo për fajin tonë. Janë disa sjellje arrogante që as nuk mund të kuptohen në botën e biznesit në marrëdhëniet klient- furnitor. Pastaj u bënë disa raste që manifestohet e njëjta arrogancë e panjohur dhe e pakonceptuieshme në botën e biznesit dhe as në raportet qytetere. Sidoqoftë nuk janë paragjykimet tona ato që kanë ndërprerë energjinë pranë ndërrmarrjeve tona, as tek "Shekulli" as tek Televizioni A1 dhe as tek nderrmarrjet e tjera të 2K Grupit. T'u ndërpresësh energjinë ndërrmarjeve që paguajnë, të hedhësh punonjësit në rrugë, dhe të mbyllësh redaksitë janë pak si shumë për të qëndruar jashtë kuadratit. Çdo të bëhet me Televizionin A1 nëse KESH vazhdon të refuzojë vendimin e Bordit të EREs? Televizioni A1 nuk do të transmetojë më derisa të vijë energjia elektrike. Deri tani ne përgjithësisht kemi duruar. Të gjitha aktet e rënda dhe cenimet thelbësore të lirive tona ekonomike e të shprehjes i kemi përcjellë me qetësi, duke mos dashur të tërheqim vëmendjen e opinionit dhe të mediumeve tona, nga problematikat e mprehta dhe hallete mëdha që ka shoqëria shqiptare. Ne do të sensibilizojmë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, për të gjitha goditjet e rënda që organet qeveritare kanë drejtuar mbi ne, me qëllim që të vënë nën kontrollin e qeverisë politikat editoriale të redaksive tona. Ne kemi vlerësuar gjatë gjithë kësaj kohe, interesimet pozitive të shumë institucioneve e personaliteteve të cilët janë përpjekur të ndikojnë për të reduktuar presionet e mëdha të Qeverisë mbi grupin tonë. Në këtë linjë do të doja të falënderoja veçanërisht Presidentin e Republikës, i cili i ka kërkuar shpjegime nga të gjitha strukturat shtetërore që kanë lidhje me këto çështje, Organizatat prestigjioze "Reporterët pa Kufij" dhe Organizata Botërore e Gazetave UAN që janë duke vepruar energjikisht për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar, të gjithë ata gazetarë e personalitete të cilët përmes artikujve apo komunikimeve të tyre kanë shprehur shqetësimin për çka ndodh në televizionin tonë si dhe deputetët dhe liderin e opozitës, Edi Rama, që kanë ngritur zërin për këtë çështje. Në mbyllje të kësaj përgjigje, dëshiroj të shpreh keqardhjen time për këto situata në të cilat ndodhet liria e mediave në Shqipëri.