Rama: Pakti, angazhim për një drejtësi të pavarur
Pakti Kombëtar për Drejtësinë do të dorëzohet në Komisionin parlamentar të Ligjeve
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka bërë publik dje Paktin Kombëtar për Drejtësinë, dokumentin që selia rozë i propozon mazhorancës dhe partive të tjera parlamentare, pak muaj para zhvillimit të Samitit të Bukureshtit, nga i cili Shqipëria pret të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Në një komunikim publik me mediat, lideri i opozitës deklaroi se, Pakti Kombëtar për Drejtësinë do të dorëzohet në Komisionin parlamentar të Ligjeve, i cili aktualisht ka nisur diskutimin e një pjese të reformës në drejtësi, dhe ftoi të gjitha partitë parlamentare ta nënshkruajnë atë, pa paragjykime dhe duke shtuar kontributet e tyre, duke shprehur angazhimin përtej Samitit të Bukureshtit. "Pakti Kombëtar për Drejtësinë është një garanci për popullin shqiptar dhe për partnerët ndërkombëtarë, se bashkëpunimi mes partive parlamentare shqiptare për reformën në drejtësi, nuk është një lëvizje taktike për të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO në prill të këtij viti dhe as një shfaqje sporadike e vullnetit të mirë, por një vetëdije e re, lidhur me misionin e politikës",- u shpreh Rama. Duke iu referuar Paktit Kombëtar për Drejtësinë, kreu i PS-së tha se, ai është një dokument që i angazhon të gjitha partitë parlamentare shqiptare në një projekt politik të përbashkët, për pavarësinë e plotë të sistemit të drejtësisë dhe për realizimin e konsensusit lidhur me organizimin gjyqësor, me qeverisjen e gjyqësorit, me statusin e gjyqtarit e të prokurorit, me financimin e sistemit të drejtësisë, me raportin mes gjyqësorit shqiptar me gjykatat evropiane, pra me një sërë elementesh specifikë, pa të cilët nuk mund të ketë një drejtësi të pavarur e të barabartë për çdo qytetar. Sipas Ramës, Pakti Kombëtar për Drejtësinë është një platformë parimesh, që i detyron të gjitha partitë parlamentare shqiptare të sillen e të veprojnë njësoj në raport me sistemin e drejtësisë, si kur janë në mazhorancë, edhe kur janë në opozitë, duke vënë përfundimisht politikën në shërbim të drejtësisë dhe duke mbyllur njëherë e mirë kapitullin e drejtësisë në shërbim të politikës.