E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodhen 80 milionë nga banka, pesë në pranga

Elbasan, skema e mashtrimit me dokumentet e kredisë. Bashkëpunëtor, edhe agjenti i kredive. Paratë u prishën me femra
ELBASAN- Katër persona nga qyteti i Elbasanit kanë arritur që të mashtrojnë një bankë private duke i marrë asaj rreth 80 milionë lekë të vjetra duke paraqitur dokumente false kredie. Në këtë vepër ata janë ndihmuar edhe nga një oficer kredie, i cili me dijeni të plotë ka kaluar dokumentet e falsifikuara dhe ka bërë të mundur që të merrej kredia. Pas zbulimit të këtij skandali nga banka private,ështëdenoncimi në polici dhe mesnatën e djeshme janë bërë pesë arrestime. Kështu në prangat e policisë kanë rënë shtetasit Luan Xheka, 47 vjeç, Astrit Graceni, 64- vjeç, Bledar Sharra, 31 vjeç, Arben Beqiri, 39 vjeç si dhe Taip Beqiri, oficeri i kredisë. Lajmi është pohuar dje nga burimet zyrtare të policisë së Elbasanit, të cilat pohuan se paratë e marra në bankë me anë të skemës së mashtrimit janë prishur gjatë kësaj kohe me femra.
Burimet e grupit hetimor shpjeguan dje se një ditë më parë kishin marrë një kallëzim nga dega e një prej bankave private më të mëdha në vend se katër persona i kishin mashtruar me kredinë. Sipas denoncimit të bankës, ata kishin ngritur një skemë të vërtetë mashtrimi, me anë të së cilës kishin marrë një kredi të majme. Menjëherë informacioni është verifikuar nga policia lokale, e cila ka zbuluar gjithçka. Hetuesit pohuan dje se katër të arrestuarit kishin përgatitur dokumente false dhe më pas ishin lidhur me një agjent kredie, i cili punonte pranë kësaj banke. Ata kishin aplikuar për kredi pikërisht tek agjenti Taip Beqiri, i njohuri i tyre. Ai kishte kaluar pa bërë zë të gjitha dokumentet e falsifikuara në një kohë kur duhet të kishte bërë verifikimin e saktë të tyre duke parë me kujdes objektet e lëna peng nga kredi-kërkuesit dhe vërtetimet e pronësive të tyre. Pas kalimit të dokumenteve dhe raportit të përpiluar nga agjenti i kredisë, banka ka miratuar shumën dhe kredi-kërkuesit e kanë tërhequr atë. Por pak kohë më pas, një verifikim i kryer në degën lokale të bankës private ka zbuluar skemën e mashtrimit.
Hetuesit e policisë së Elbasanit kanë marrë në dorë dokumentet e vëna në dispozicion nga banka dhe sapo kanë kryer verifikimin e tyre kanë zbuluar skemën e mashtrimit. Në bashkëpunim edhe me prokurorinë lokale është kërkuar nga gjykata miratimi i urdhër-arrestit për pesë personat e lartpërmendur. Me të marrë urdhër-arrestin në dorë, efektivat e policisë kanë pritur momentin e duhur për të kryer arrestimin. Ata kanë zgjedhur orët e vona të darkës kur të gjithë të kërkuarit ndodheshin në banesat e tyre dhe kanë vepruar njëkohësisht në pesë vende të ndryshme duke kryer arrestimin e tyre pa i lënë mundësi të largoheshin. Burimet e grupit hetimor shpjeguan se të dhënat e para bëjnë fjalë për një mashtrim në shumën e 80 milionë lekëve të vjetra por kjo shumë do të saktësohet gjatë ditëve të ardhshme. Sipas tyre, në mashtrim mendohet se kanë marrë pjesë edhe persona të tjerë.
TË ARRESTUARIT
Luan Xheka, 47- vjeç
Astrit Graceni, 64- vjeç
Bledar Sharra, 31 vjeç
Arben Beqiri, 39- vjeç
Taip Beqiri, oficeri i kredisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›