E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen-Kalimash, Braçe: Ja shkeljet ligjore

Firmës i jepet 19% e vleftës fillestare të projektit parapagim, ndërkohë që nuk duhet më shumë se 10% sipas ligjit për buxhetin
"Bechtel-Enka" pa projekt përfundimtar, ka kërkuar shtesë të volumeve të punës me vlerë 141 milionë euro më shumë"
TIRANË- Gjatë lidhjes së kontratës së ndërtimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, si pjesë e aksit strategjik Durrës-Kukës-Morinë, qeveria ka shkelur 9 ligje dhe Kushtetutën e vendit, çka i ka sjellë një kosto të konsiderueshme fondeve publike. Ky është konstatimi që bën raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas kontrollit të kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, në lidhje me procedurat e ndjekura në tenderimin e ndërtimit të kësaj rruge. Në mungesë të një publikimi zyrtar të raportit nga ana e vetë KLSH-së, të dhënat janë bërë të ditura dje nga Partia Socialiste e cila, duke iu referuar raportit në fjalë, ka evidentuar të gjitha shkeljet ligjore që janë zbuluar nga ekspertët e këtij institucioni të specializuar shtetëror. Nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erion Braçe ka bërë publike dje vetëm shkeljet ligjore të zbuluara nga KLSH, pa u përfshirë në emrat e përgjegjësve apo në dëmin monetar të shkaktuar si pasojë e tyre.
Shkeljet
Në 110 faqet e këtij raporti, Kontrolli i Lartë i Shtetit analizon të gjithë dokumentacionin e lindur nga marrëdhënia vendimmarrëse ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve- Ministrisë së Transporteve dhe kompanive të kontraktuara si për konsulencën, ashtu edhe për ndërtimin dhe supervizimin e punimeve që do të kryhen në këtë rrugë. "Që në zbatimin e procedurave të prokurimit publik, më pas të financimit dhe më pas të zbatimit të ndërtimit të segmentit Rrëshen-Kalimash janë shkelur 9 ligje, duke përfshirë dhe Kushtetutën. Pra, gjithsej janë shkelur mbi 400 nene të legjislacionit shqiptar", u shpreh Braçe. Duke u ndalur në shkeljet konkrete që evidentohen në këtë raport Braçe ka theksuar se, "është shkelur Kushtetuta 3 herë, në rastin kur është shmangur legjislacioni shqiptar për procedurën e prokurimit publik, si dhe në rastin kur është shmangur legjislacioni shqiptar i detyruar nga Kushtetuta, për lidhjen e kontratës me vlerë paraprake 418 milionë euro". Gjithashtu, sipas raportit, është shkelur ligji në fuqi edhe në rastin kur kompania "Bektel-Enka" është përjashtuar nga detyrimet fiskale. Raporti konstaton shkelje 4 herë të ligjit për Prokurimin Publik, si në momentin e përcaktimit të kompanisë "Ecorys Group" me prokurim të drejtpërdrejtë për hartimin e dokumenteve të tenderit dhe më pas për negocimin e kontratës. Në raport evidentohet edhe fakti se procedurat e tenderimit janë jo transparente, gjë që sipas KLSH-së është evidentuar edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave, gjatë sugjerimeve që kanë dhënë paraprakisht në momentin e diskutimit të kësaj çështjeje në Këshillin e Ministrave. "Është shkelur Ligji 9000 "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave", kur nuk është përcaktuar baza ligjore me të cilën mbështet vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave i nxjerrë për lidhjen e kontratës, siç ka konstatuar me shumë të drejtë ministri i asaj kohe dhe kësaj kohe i Financave, z.Bode, shkresa e të cilit është administruar në raportin e KLSH-së",- citoi Braçe nga raporti i KLSH-së. Një tjetër shkelje ligjore ka të bëjë dhe me të drejtën e parapagimit të vleftës së punimeve. Sipas raportit, DPRR ka shkelur ligjin për Buxhetin e Shtetit kur i ka dhënë 19 për qind të vleftës fillestare të projektit parapagim, vleftë e cila i kalon shifrën e 80 milionë eurove. Sipas raportit, ligji nuk lejon dhënien më shumë se 10 për qind të vleftës fillestare parapagim dhe kjo vetëm në rastin kur punimet kanë filluar. "Është shkelur Ligji 8438, ligji mbi Tatimin për të Ardhurat, në rastin kur është përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat kompania "Bektel-Enka" për një vlerë prej 49 milionë euro, kur janë përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat kompanitë konsulente "Ital-Konsult" dhe "Scetaurout", me vlerë 378 mijë euro. Kur janë përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat po përsëri këto dy kompani që janë caktuar dhe supervizore, me vlerë 81 mijë euro",- theksoi Braçe, gjithmonë në referencë të raportit të KLSH-së. Raporti vëren shkelje edhe të ligjeve 8405 për Urbanistikën, pasi ndërtimi po kryhet pa leje ndërtimi. Gjithashtu gjatë zbatimit të këtyre procedurave raporti konstaton dhe shkeljen e një sërë vendimesh, udhëzimesh dhe pikash të vetë kontratës së lidhur.
Konkluzioni
Në përfundim të analizimit të procedurave ligjore KLSH arrin në përfundimin se, realizimi i kontratës në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë fushën e punimeve të ndërtimit, mund të sjellë pasoja të cilat gjatë zbatimit të kontratës reflektohen me rritje të kostos së ndërtimit. Këtë e tregon dhe fakti i mësipërm, ku pa u realizuar as 10 për qind e punimeve të rrugës, kontraktori, pra "Bektel-Enka" pa projekt përfundimtar, mbështetur në kushtet e kontratës së lidhur, ka kërkuar shtesë të volumeve të punës me vlerë 141 milionë euro ose 34 për qind mbi vlerën fillestare të kontratës.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›