E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: “Rezoluta për Kosovën përbën një sukses të përmasave të mëdha”



“Rezoluta ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe përbën një sukses të përmasave të mëdha për Kosovën dhe njohjen e saj të mëtejshme”. Kështu e ka konsideruar ministri i Jashtëm, Basha, miratimin e këtij dokumenti në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të OKI-t, pas kthimit në Tiranë. Në një konferencë para gazetarëve, ai tha se “për herë të parë, Organizata e Konferencës Islamike i referohet në dokumentet e saj zyrtare deklaratës së pavarësisë së Kosovës duke evidentuar qartë se që nga shpallja e pavarësisë, më datë 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe ka krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe institucional bashkëkohor”. Sipas tij, “Organizata prej 57 shtetesh njeh se zhvillimet e fundit në Kosovë, pra pikërisht pavarësia dhe ndërtimi i institucioneve të saj, kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, çka do të thotë se njeh pikërisht që pavarësia është zgjidhja e duhur për Kosovën dhe rajonin”.
Basha theksoi se “kjo rezolutë, e cila është e para e miratuar nga OKI që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe bashkësisë ndërkombëtare në tërësi, që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e Kosovës dhe ekonomisë së saj”.
“Votimi unanim i kësaj rezolute është një provë tjetër, shumë domethënëse, se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm dhe njohja ndërkombëtare e saj një proces i pandërprerë”, - tha kryediplomati shqiptar, duke falënderuar secilin prej 56 vendeve anëtare të Organizatës që dhanë këtë mbështetje për këtë rezolutë. Ndërkaq, dokumenti i miratuar nga shefat e diplomacive të OKI-t është interpretuar ndryshe në Beograd. Sipas burimeve zyrtare, me ndërhyrjen e diplomacisë serbe është hequr thirrja që u bëhet vendeve anëtare të organizatës për të njohur shtetin e ri të Kosovës. Rezoluta u propozua nga Shqipëria dhe u mbështet nga Arabia Saudite, por dolën disa vende kundër saj.

Ambasadori shqiptar në Arabinë Saudite: “Njohja e Kosovës, çështje e çdo shteti”

Ambasadori shqiptar në Arabinë Saudite, Admirim Banaj, i ka quajtur spekulime deklaratat e zyrtarëve serbë se rezoluta e miratuar nga Organizata e Konferencës Islamike është amenduar. “Unë do ta quaja spekulim sepse njohja e Kosovës është çështje e sovranitetit të secilit shtet. OKI është një organizatë e cila krijon një linjë, krijon një imazh dhe njëkohësisht i jep një mbështetje jashtëzakonisht të madhe politike çështjes së Kosovës dhe për këtë arsye kjo rezolutë nuk kishte lidhje me posaçërisht njohjen e Kosovës”, - ka thënë Banaj në një prononcim për televizionin kosovar “TV Dukagjini”.
Ambasadori Banaj bëri të ditur se nga të gjitha takimet që kishte me përfaqësuesit e shteteve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike ka vërejtur disponim të mirë për njohje të shpejtë të Republikës së Kosovës. Ndërkaq shtoi se rezoluta e miratuar do të ndryshojë trajtimin e Kosovës nga vendet islamike. “Kjo nënkupton një dinamikë tjetër se si do të trajtohet çështja e Kosovës. Sekretariati i Përgjithshëm dhe të gjitha strukturat e Organizatës së Konferencës Islamike janë një mekanizëm mjaft i fuqishëm për të lobuar dhe për të krijuar një atmosferë krejt ndryshe në mënyrën se si perceptohet çështja e Kosovës”, - ka thënë ai. Banaj është shprehur se vendet e OKI-it do të ndihmojnë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›