E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ-ja paralajmëron njësitë vendore: “Deri të shtunën të keni dorëzuar listat e votuesve”



Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ka paralajmëruar drejtuesit e njësive vendore që të dërgojnë brenda ditës së shtunë listën e votuesve dhe numrin e qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ristani tha se vonesat e dorëzimit të këtyre listave po kërcënojnë zgjedhjet, pasi nuk mund të bëjnë të mundur fillimin e procesit zgjedhor. Kreu i KQZ-së tha se në rast se drejtuesit e njësive vendore do të vazhdojnë të vonojnë listat, veprimi i tyre do të konsiderohet shkelje e Kodit të ri Zgjedhor dhe për këtë arsye ata do të ndiqen penalisht. “Në qoftë se krerët e njësive vendore nuk na dërgojnë listat deri të shtunën, procesi i zgjedhjeve vihet në rrezik”,- tha Ristani. Janë mbi 3 njësi vendore dhe disa komuna në të gjithë vendin, të cilat kanë refuzuar të sjellin listën paraprake të zgjedhësve, ndërkohë që ka kaluar afati ligjor dhe për ato përfundimtare. Deri në këto momente disa nga bashkitë më problematike për ecurinë e procesit zgjedhor janë: Lezha, Shkodra dhe disa minibashki të Tiranës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sanksione ndaj 77 drejtuesve të njësive vendore. Kryetarët e njësive vendore u gjobitën me nga 50 mijë lekë të rinj. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi se kryetarët e njësive vendore kanë shkelur Kodin Zgjedhor në lidhje me afatet e paraqitjes së listave të zgjedhësve. Ristani tha se kryetarët e komunave dhe të bashkive, edhe pas kërkesave të vazhdueshme që u janë bërë, nuk kanë reaguar. Po dje KQZ-ja miratoi edhe listën shumemërore të partive politike, e cila u shty për shkak të mosplotësimit të kuotës 30% të grave. Partia Socialiste ndoqi të njëjtin truk si ajo Demokratike, duke shtuar në fund të listës dy emra grash. Vonesat për regjistrimin e listave shumemërore të partive politike ka çuar edhe në shtyrjen e prodhimit të fletëve të votimit, të cilat do të prodhohen nga firma sllovene “Cetis”. Partitë e tjera që regjistruan listën shumemërore janë: PSD-ja, PDS-ja, Partia “Aleanca Maqedonase” etj.
Luis Tanushi

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›