E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Së shpejti hipotekimi i qindra pallateve

33 prej tyre morën që sot Lejen e Përdorimit, akt që i hap rrugën hipotekimit të rreth 1853 apartamenteve të banimit dhe një numri të  madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto me një sipërfaqe totale prej rreth 274.700 m2 ndërtim. 

“Mbi 700 milionë euro kapital po shkrihet si rezultat i këtij procesi dhe shkrirja e plotë e kapitalit të ngurtësuar apo “të ngrirë”, si rezultat i papërgjegjshmërisë së deritanishme apo deri para pak kohësh është një lajm shumë i mirë, jo vetëm për tregun bankar, jo vetëm për ju si ndërtues, por për të gjithë ekonominë e qytetit”,  tha Basha.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranes ka përfunduar punën edhe  për rreth 27 dosje, të cilat kanë nevojë vetëm për angazhimin e subjekteve ndërtuese, për plotësimin e dokumentacionit të domosdoshëm për pajisjen me këto leje. Finalizimi i këtij procesi, vetëm për këtë grup prej 27 dosjesh, do të bëjë të mundur hapjen e rrugës për hipotekimin e mbi 920 apartamentesh banimi, një numri të madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto me një sipërfaqe totale prej rreth 133.000 m2 ndërtim.  

“Unë i bëj një thirrje këtyre ndërtuesve, sot nga kjo foltore, nga ky forum që përfaqëson interesat tuaja, që në këtë kuadër dhe në këtë proces të merrni përgjegjësitë tuaja dhe t’i japim fjalës “partneritet”, kuptimin e vërtetë dhe jo formal. Në punën tonë udhëhiqemi nga ligjet por udhëhiqemi edhe nga morali. Është e pamoralshme të paraqiteni në dyert e Bashkisë vetëm kur keni nevojë, vetëm për të zgjidhur një problem tuajin dhe atëherë kur kërkohet të zgjidhni problemet e një kolektivi të tërë klientësh apo ish-klientësh që kanë paguar për banesat e tyre, ta kemi të vështirë t’ju gjejmë, me celularë, e-mail, adresë apo me korrierë. Ky nuk është partneritet. Kjo pa dyshim nuk do të shkaktojë bllokimin e procesit, por do të detyrojë Bashkinë e Tiranës të devijojë më shumë burime njerëzore e financiare, të angazhojë kolaudatorë privatë me fondet e veta, që natyrisht janë fonde të taksapaguesve dhe fondet tuaja, për të përmbyllur një proces që mbeti i hapur, për shkak të papërgjegjshmërisë të disave”.

Kryetari i Bashkisë ka bërë të ditur se edhe Plani Urbanistik është drejt fundit. Ky Plan, sipas zotit Basha është hartuar në kushtet e transparencës më të madhe dhe të një metodike që ka angazhuar dhe përfshirë të gjithë grupet e interesit. Drafti i Planit Urbanistik do të bëhet publik gjatë muajit maj.

“Përfundimi i Planit do i japë fund një “sage” të gjatë, të lodhshme, jo transparente, të kushtueshme e tejet të politizuar të viteve të fundit dhe është pikërisht ky Plan, çelësi apo sekreti i procedurës së re të aplikimit për leje ndërtimi Të jeni të sigurtë se procedura 55-ditore do të jetë një nga surprizat e para të këndshme që transparenca, parashikueshmëria e siguria e Planit do ju ofrojë jo vetëm ju si ndërtues, pronarëve anembanë Tiranës, por të gjithë qytetarëve të Tiranës, duke vënë kështu pse jo, një gur themeli në ambicjen tonë për ta kthyer Tiranën, në qytetin më miqësor për ndërtimin dhe për biznesin anembanë rajonit tonë e më gjerë. Ajo çka unë garantoj është që në Bashkinë e Tiranës dyert nuk do të jenë më kurrë të mbyllura, zyrtarët nuk do të jenë më kurrë shurdhë-memecë dhe Kryetari Bashkisë nuk do të jetë më askush tjetër përveçse garantit të zbatimit të ligjit dhe jo një pengues i disave dhe nxitës i disa të tjerëve”, shtoi.
 
Konkursi për Bulevardin e Ri të Tiranës ka qenë një tjetër pikë ku është ndalur Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Zoti Basha bëri me dije se faza e konsultimit me publikun po shkon drejt përmbylljes. “Brenda javës që vjen, Drejtoria e Prokurimeve në Bashkinë e Tiranës do të shpallë projektet e para për buxhetin e vitit 2012” , theksoi zoti Basha.  /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-10 14:44
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›