E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha Se shpejti nis rehabilitimi i 4 fushave sportive

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka organizuar një ceremoni të veçantë, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së ikonës së futbollit shqiptar, Miço Papadhopulli. Duke e uruar për ditëlindjen, zoti Basha ka shprehur mirënjohje për kontributin që z. Papadhopulli ka dhënë për sportin, kontribut të cilin e vazhdon dhe sot, si anëtar i këshillit sportiv-kultoror në Bashkinë e Tiranës.
“Për mua personalisht, është një nder i veçantë, jo vetëm t’ju uroj 80-vjetorin dhe një jetë të gjatë e të lumtur, ju, bashkëshortes, fëmijëve, nipërve, mbesave por po kështu ta falënderoj për kontributin që jep për qytetin e Tiranës, si anëtar i këshillit sportiv-kulturor, këshill i cili në këtë hark kohor prej afro 14 muajsh, ka vulën e një sërë aktiviteteve të rëndësishme për qytetin e Tiranës. Si anëtar i këtij këshilli, z. Papadhopuli tregon se përvoja dhe vitet e mira të tij, janë plotësisht në funksion të qytetit dhe qytetarëve dhe ndonëse vitet e tij më të mira si sportist mund t’i ketë lënë mbrapa, vitet e tij të mira si qytetar i Tiranës, i përkushtuar për Tiranën, vazhdojnë dhe janë akoma përpara tij” – u shpreh z. Basha.

Kryetari i Bashkisë, z. Lulzim Basha ka zgjedhur pikërisht 80 vjetorin e legjendës së sportit shqiptar Mico Papadhopulli, për të lançuar edhe iniciativën e Bashkisë së Tiranës, për rehabilitimin e 4 fushave sportive.

‘’Unë kam zgjedhur, jo rastësisht këtë ditë, ditëlindjen e Miços, për të shpallur një tjetër iniciativë të Bashkisë, që ka të bëjë me rehabilitimin e 4 fushave sportive, aneksit të vjetër të “Qemal Stafës”, fushës sportive të Kombinatit dhe dy fushave të tjera sportive, përkatësisht në zonën e Laprakës dhe në Njësinë Bashkiake nr 3. Ky propozim do të vijë para Këshillit dhe ne shpresojmë se me fondet tona dhe me fondet e qeverisë, të bëjmë të mundur që në këto 4 fusha, të stërviten me qindra të rinj, të udhëhequr nga shembulli i kësaj ikone dhe ikonave të tjera të sportit, të frymëzuar nga ky shembull dhe shpresoj se në rrethana më të mira, me mundësi më të mira që ne mund t’u japim, se sa mundësitë që ka pasur ky brez i shkëlqyer sportistësh, të japim të paktën atë që ky brez na ka dhënë” – theksoi Kryebashkiaku Basha.

Nga ana e tij, Miço Papadhopulli ka falenderuar Kreun e Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, për këtë ceremoni, sikundër shprehu mirënjohjen edhe për angazhimin e tij, në këshillin e sportit dhe kulturës, në Bashkinë e Tiranës .

“Kur më sollën si anëtar të Këshillit Bashkiak, me thënë të drejtën isha shumë i gëzuar. Unë si socialist i vjetër, biles njëri më tha: - “shkruaj aty që ke qenë socialist”,- “lërë more i thashë atë muhabet”. Kur më zgjodhën në komisionin e kulturës e sporteve, ishte një gëzim shumë i madh, sidoms në këtë moshë, që më jepet mundësia që me vendimet e mia, të kontribuoj për zhvillimin e sportit në qytetin e Tiranës. E falenderoj edhe njëherë Kryetarin, për këtë ndër që më ka bërë, përmes kësaj ceremonie dhe dhuratat që më dha. I jam mirënjohës dhe i kërkoj në të ardhmen, një punë akoma më të madhe, se nuk merr asnjëherë fund puna këtu në Bashki, që të kemi suksese e Tiranën ta bëjmë vërtet një fushë me lule” – u shpreh z. Papadhopulli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›