Basha: Siguri për nxënësit dhe shkolla të reja
Bashkia e Tiranës do të planifikojë së shpejti hapjen e shesheve të ndërtimit për ndërtimin e 6 shkollave 9-vjeçare, gjatë vitit 2012, gjë që do të reflektohet edhe në buxhetin që do t’i paraqitet Këshillit Bashkiak. Ky lajm i mirë për nxënësit, prindërit, si dhe arsimtarët, është bërë i ditur dje, nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili e ka bërë urimin për vitin e ri shkollor nga shkolla ku ai ka qenë vetë nxënës, që është ajo “Skënder Çaçi”. Gjatë qëndrimit në këtë shkollë, kryetari i Bashkisë vizitoi shumë ambiente, klasa e sallat e shkollës, dëgjoi nga afër nxënësit dhe mësuesit, si dhe mori pjesë në një orë mësimi. Ndërkaq, ai bërë të ditur se Bashkia e Tiranës ka marrë disa masa përpara fillimit të vitit të ri shkollor, kryesisht në drejtim të sigurisë së nxënësve, në ato shkolla që gjenden afër rrugëve kryesore ku ka qarkullim të madh të makinave.