Jashtë Tiranës, mësimi në ambiente me qira
Në disa komuna të Tiranës, Kashar, Baldushk, Farkë, pushteti vendor ka gjetur godina me qira për zhvillimin e mësimit
Nxënësit përtej qendrës së kryeqytetit, në rrethinat e Tiranës, ditën e parë të mësimit nuk e kanë kaluar në godinat përkatëse shkollore, por në ambiente me qira. Për shkak të infrastrukturës së dobët, ambienteve të amortizuara dhe prezencës së lagështirës, në to nuk mund të ulen ende nxënësit në banka. Kjo sjell nevojën e ecejakeve në ambientet me qira të këtyre fëmijëve, që nuk jetojnë në kryeqytet, por që si të gjithë të tjerët kanë nevojën e nxënies së dijeve. Janë disa komuna të Tiranës, që sipas drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale për Qarkun Tiranë, Bilbil Hoxha, nuk kanë kushtet e duhura për të kryer një proces normal arsimor. “Për shkollën në Kashar, komuna ka gjetur ambient me qira dhe nxënësit janë transferuar. Në komunën Baldushk janë transferuar në një tjetër godinë. Ndërsa në komunën Farkë, shkolla do të ndërtohet në territor tjetër”, - shprehet Hoxha. Ndërkaq, ai bën të ditur se një pjesë e shkollave pritet të përfundojnë së ndërtuari brenda semestrit të parë. Ndërsa për plotësimin e teksteve, shkollat e Qakut Tiranë kanë një mungesë prej 10 % të tyre, pa ditur një afat të caktuar se kur do të bëhet furnizmi i plotë me botimet e shkollës. “Ka disa tituj librash që nuk kanë dalë në botim, këto janë evidentuar, por numri nuk i kalon 10% e numrit total të teksteve”, - thekson Hoxha. Vetëm Qarku Tiranë ka 80 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme dhe 20 shkolla vartëse. Ndëryrjet po bëhen në një pjesë të konsiderueshme të tyre, ndërsa për pjesën tjetër, mësimi në këtë ditë të parë ka nisur normalisht.