Basha: Sllovenia, së shpejti firmos “Shqipërinë në NATO”
Samiti i ardhshëm i prillit do të bëjë Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe aktualisht kanë mbetur vetëm pak shtete për të ratifikuar protokollet e anëtarësimit. Për këtë arsye, Tirana zyrtare po intensifikon punën diplomatike për përshpejtimin e procesit të ratifikimit të Protokollit të Shqipërisë në NATO me qëllim që në samitin e prillit në Bukuresht, Shqipëria të bëhet anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Afrimi i samitit të Bukureshtit ka ngjeshur axhendën diplomatike të ministrit tonë të Jashtëm, Lulzim Basha. Ai do të ndërmarrë një sërë takimesh me homologët e tij evropianë, takime të cilat do të jenë gjithnjë në funksion të procesit të ratifikimit të protokollit nga vendet e mbetura. Z. Basha bëri dje të ditur ecurinë e negocimit me vendet e tjera ku gjithsej janë 8 anëtarë të Atlantikut të Veriut që pritet t’i shkojnë deri në fund procesit. Ai flet për indikacionet pozitive që vijnë nga këto vende teksa siguron se Sllovenia brenda një kohe shumë të shkurtër do të mundësojë firmën mbi protokollin e hyrjes së Shqipërisë në NATO. Basha fokusohet dhe tek vizita në Tiranë e ministres së Jashtme greke, Dora Bakojanis, e cila përmes një bisede telefonike e ka siguruar se procesi i ratifikimit të protokollit nga ana e Greqisë do të ecë pa probleme brenda një kohe shumë të shkurtër. Deri tani, janë 19 vende që e kanë ratifikuar protokollin, pjesa më e madhe e tyre, rreth 12, kanë depozituar dokumentin e ratifikimit në Departamentin e Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa tjetër pritet t’i depozitojë së shpejti.
Z. Basha, si po ecin negociatat me vendet që ende nuk kanë ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë për në NATO?
Ratifikimi nga Belgjika mori dje forcën ligjore, pasi është firmosur nga Parlamenti belg dhe është depozituar në të njëjtën ditë në Uashington. Në të njëjtën kohë po dje, një numër parlamentesh patën të drejtën e ratifikimit. Kështu p.sh. Parlamenti francez dje ka shqyrtuar në Komision të Jashtëm protokollin dhe pritet që nesër ta shqyrtojë në Senat dhe presim që shqyrtimi të përfundojë me ratifikim. Kemi indikacione që Senati holandez, i cili ka shqyrtuar procesin, do të ecë javën që vjen po kështu me ratifikim. Ndërkohë që po dje Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit të Luksemburgut e ka marrë në shqyrtim dhe pritet që javën tjetër ta përfundojë. Më datën 6 shkurt kam një takim në Lisbonë me homologun tim, ku besoj se do të ketë një informacion më të fundit për sa i përket ratifikimit nga ky vend. Më datën 7 shkurt do të takohem me ministrin e Jashtëm slloven. Jemi në kontakt që në orët e para të drejtimit të qeverisë së re, me kanalet diplomatike atje, ministrin e Jashtëm dhe unë shpresoj që brenda një kohe jo shumë të gjatë të kem një kontakt të drejtpërdrejtë me ministrin e Jashtëm islandez me të cilin kam një takim personal.
Ndërkohë ju prisni në Tiranë edhe homologen tuaj greke, Dora Bakojanis, por çfarë sigurie keni marrë prej saj?
Po. Më datën 9 shkurt, pres në Tiranë Dora Bakojanisin, ministren e Jashtme të Greqisë, e cila po kështu gjatë bisedës sime telefonike që kam pasur, më ka garantuar se procesi i ratifikimit të protokollit nga ana e Greqisë do të ecë pa probleme brenda një kohe shumë të shkurtër. Duke iu referuar të gjitha këtyre, mbetem optimist se procesi do të përfundojë në mënyrë që Shqipëria dhe Kroacia të shkojnë në Strasburg të shkojnë si anëtare të plota.
Po për sa i përket Sllovenisë?
Parlamenti i Sllovenisë ka përfunduar diskutimet për sa i përket Shqipërisë, diskutime që kanë qenë jashtëzakonisht pozitive me vlerësimet më të larta për Shqipërinë, jo vetëm për politikën e saj rajonale të sigurisë, por dhe për reformat e bëra në vend dhe sigurisht për marrëdhëniet bilaterale mes Lubjanës dhe Tiranës zyrtare. Por, mund të them se të gjitha kanalet na kanë siguruar se diskutimi dhe shqyrtimi do të vazhdojë dhe pritet që të konludohet me sukses të plotë.