E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: NATO dhe BE, projektet e qeverisë sime



Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian janë dy projektet kryesore të qeverisë së kryesuar nga z. Sali Berisha. Gjatë një takimi që zhvilloi dje me kryeparlamentarin suedez, z. Per Vesterberg, z. Berisha e njohu atë me reformat e thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit.

Berisha shprehu angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kryeministri e informoi z. Vesterberg mbi reformat e thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit. “NATO dhe BE-ja, - u shpreh Kryeministri Berisha, - janë dy projektet tona madhore, dhe të gjitha përpjekjet tona janë të përqendruara në këto dy projekte”. Në këtë kontekst, Kryeministri u ndal veçanërisht në reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dukuri të cilat më parë ishin shndërruar në pengesa serioze për procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Gjithashtu, ai informoi kryetarin e Parlamentit të Suedisë me reformat në fushën ekonomike, duke evidentuar faktin se Shqipëria është tashmë vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Kryeministri tha se investitorët suedezë janë të mirëpritur për të investuar në Shqipëri në fusha të ndryshme, si turizmi, energjia dhe mineraret. Duke u ndalur te reformat politike, Kryeministri tha se mazhoranca ka bashkëpunuar ngushtë me opozitën për realizimin e reformës zgjedhore, ndryshimeve kushtetuese dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Gjatë takimit, kryetari i Parlamentit të Suedisë vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit. Ai u shpreh i befasuar nga zhvillimi i shpejtë gjatë këtyre katër viteve të fundit dhe vlerësoi se "Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer". “Suedia, - theksoi z. Vesterberg, - mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE”. Gjithashtu, kryetari i Parlamentit të Suedisë vlerësoi rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Të dyja palët shprehën angazhimin e tyre për intensifikimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›