E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushi, Topit: Mirënjohje për kontributin në Irak



Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i shpreh Shqipërisë mirënjohjen për kontributin e forcave të armatosura shqiptare në Irak. Nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit Bamir Topi, z. Bush shpreh vlerësimin e popullit amerikan për përkushtimin e ushtarëve shqiptarë për t’i shërbyer çështjes së lirisë globale, gjatë 5 viteve të misionit. “Kjo gatishmëri e Shqipërisë për të mbështetur ngritjen dhe forcimin e qeverisjes demokratike në Irak, - thotë Bush, - me gjithë vështirësitë e mëdha, dëshmon për shpirtin e popullit shqiptar dhe përkushtimin e tij për t’i shërbyer çështjes së lirisë globale, që unë e kam përjetuar vetë qartësisht gjatë vizitës sime në Tiranë në vitin 2007. Ne presim me gëzim të shërbejmë së bashku me kontingjentet e ardhshme shqiptare në mbrojtje të lirisë”. Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë shprehu besimin se lidhjet mes dy vendeve do të forcohen, ndërkohë që Shqipëria zë vendin e saj si anëtare e NATO-s dhe që dy qeveritë rrisin bashkëpunimin në shërbim të sigurisë globale, lirisë dhe paqes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›