E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Reformat po na çojnë drejt BE-së



Reformat kushtetuese, zgjedhore dhe ato në drejtësi mbeten faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve në vend, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Këtë vuri dje në dukje Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Per Vesterberg, dhe delegacionin e përbërë nga përfaqësues të partive të ndryshme parlamentare suedeze, që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi faktin se diplomacia parlamentare mbetet fushë e rëndësishme bashkëpunimi, çka e dëshmon edhe vizita e z. Vesterberg në Shqipëri, si shumë e rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, dialogu dhe shkëmbimi përvojash të vlefshme. Gjithashtu, Presidenti Topi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, kërkoi të inkurajohet nxitja e angazhimit të kompanive dhe të investimeve suedeze në vendin tonë, pasi kuadri i nevojshëm ligjor dhe institucional dhe anëtarësimi i pritshëm i Shqipërisë në NATO, garantojnë sigurinë e veprimtarive dhe tërheqjes së investimeve në Shqipëri. Po kështu, kryetari i shtetit shqiptar u shpreh se do të mirëpriste ndihmesën dhe mbështetjen suedeze në fushën strategjike të energjisë, bashkëpunimin në fushat e turizmit, infrastrukturës etj. Në takim, kryetari i shtetit shqiptar vlerësoi gjithashtu mbështetjen dhe ndihmesën që Suedia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO. Duke qenë se Suedia është ndër përkrahëset më të forta të politikës së zgjerimit të BE-së, Presidenti Topi shprehu besimin në mbështetje të Shqipërisë dhe rajonit në rrugën drejt integrimit të plotë në BE. Kryeparlamentari suedez theksoi gjithashtu rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e parlamentar si për sa i përket shkëmbimit të përvojave, ashtu edhe përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së, kryerjen e suksesshme të reformave kyçe, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe arritjen e përmbushjen e standardeve integruese.

Z. Vesterberg i shprehu kreut të shtetit shqiptar gatishmërinë e Suedisë dhe institucioneve të saj për mbështetjen dhe ndihmesën e pandërprerë në drejtim të realizimit të aspiratës së saj integruese në familjen e madhe evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›