E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Zgjedhjet, ndikim direkt në integrim



Zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve do të ndikonte pozitivisht në trajtimin e aplikimit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Majlinda Bregu, ministrja e Integrimit, në takimin që realizoi dje me kryetarin e Parlamentit të Suedisë, z. Per Vesterberg, vuri në dukje se reformat e qeverisë po përafrojnë integrimin e vendit tonë. Në emër të qeverisë shqiptare, ministrja Bregu i shprehu falënderimet z. Vesterberg për mbështetjen dhe politikat pro zgjerimit të mëtejshëm të BE-së të deklaruara nga Suedia, kur kjo e fundit të marrë presidencën e radhës në verë të këtij viti. Ministrja informoi z. Vesterberg se pas dialogut me vendet anëtare të BE-së, Shqipëria ka vendosur të aplikojë për statusin e vendit kandidat gjatë presidencës çeke, pasi Çekia e konsideron zgjerimin prioritet të saj. Nga ana e tij, z. Vesterberg i cilësoi të suksesshme reformat kyçe të ndërmarra nga qeveria dhe shtoi se zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare sipas standardeve do të ndikonte pozitivisht në trajtimin e aplikimit të anëtarësimit të Shqipërisë nga vendet evropiane. Ministrja Bregu nënvizoi faktin se qeveria shqiptare, por edhe forcat e tjera politike në vend, po punojnë për të krijuar strukturën e përshtatshme për të siguruar zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›