E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Stacion interurban dhe dy nënkalime

TIRANË - Kandidati i maxhorancës për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i siguroi banorët e Njësisë Bashkiake nr.11 në kryeqytet se, projekti i tij për Bashkinë e kryeqytetit parashikon zhvendosjen e Stacionit të Trenit dhe ndërtimin aty të stacionit interurban të automjeteve.

Në vijim të takimeve me qytetarët e Tiranës, Basha u takua me banorët e minibashkisë nr.11, ku shpalosi projektet e tij për këtë njësi dhe prezantoi kandidatin për kryetarin e saj, Haki Mustafa.
Në bashkëbisedim me banorët e zonës, Basha premtoi edhe zhvendosjen e hekurudhës që kalon përmes njërës prej lagjeve më të diskriminuara në kryeqytet, si edhe ndërtimin e të paktën dy nënkalimeve që do të lidhin dy zonat e banimit përgjatë segmentit rrugor nga “Zogu I Zi” deri tek dogana.
Kandidati i koalicionit të djathtë për bashkinë e kryeqytetit, nënvizoi edhe një herë para banorëve të Tiranës se, me marrjen e mandatit për drejtimin e Bashkisë, punësimi mbetet prioritet i punës së tij.
Basha u tha banorëve se në projektin e tij parashikon që, përmes politikave fiskale dhe punimeve në Unazën e Madhe, të hapen të paktën 15 mijë vende të reja pune.

Basha i siguroi banorët e minibashkisë Nr.11 se përmes uljes së taksave, si dhe ofrimit të shërbimeve, parashikon uljen dhe normalizimin e çmimeve në kryeqytet.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›