LSI: Situatë problematike për turizmin
Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje mbi situatën e turizmit në vend. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha dje për mediat se Shqipëria është futur në sezonin turistik me mungesa në infrastrukturë. Sipas tij, ka mungesa të theksuara të energjisë elektrike, furnizimi shumë problematik me ujë të pijshëm, si dhe infrastruktura rrugore e shkatërruar dhe e lënë në mes pikërisht në akset rrugore, të cilat lidhin Shqipërinë me pjesët me turizëm shumë intensiv, që kanë vënë në vështirësi të jashtëzakonshme të gjithë ata që operojnë dhe mbajnë në këmbë strukturat turistike. “Kjo situatë problematike është akoma më kritike, sepse çdo ditë e humbur do të thotë të ardhura më pak, si dhe shumë qytetarë, të cilët nuk munden të realizojnë pushimet e tyre në mënyrë cilësore”, - tha Vasili, duke shtuar se “një situatë e tillë përbën në vetvete një emergjencë të vërtetë për një sektor strategjik, siç është turizmi ku pasojat e krizës së tij në planin ekonomik do të jenë tepër të rënda”