Rama në Athinë: Grup pune për çështjet e emigrantëve
Kryetari i PS-së premton grup pune për të shqyrtuar çështjet e emigrantëve. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me një grup deputetësh, ka dëgjuar mendimet dhe vlerësimet e emigrantëve shqiptarë në Athinë të Greqisë. Në këtë takim, janë prekur nga afër problemet e emigrantëve, duke pasur parasysh se Partia Socialiste, në kuadër të programit të saj elektoral, do t’i kushtojë një vëmendje duke ngritur një strukturë të veçantë opinionit të atyre njerëzve që realisht po përpiqen me të gjitha mundësitë për të ndihmuar zhvillimin e vendit. “Dhe këto ide dhe synime pastaj do t’ua bëjmë të qarta kur të vijë dita përpara zgjedhjeve, që të gjithë emigrantët ta dinë se çfarë do të bëj Partia Socialiste për emigrantët dhe pse emigrantët duhet ta votojnë Partinë Socialiste. Ne do ta kemi pjesë të programit tonë këtë çështje dhe do të ndërtojmë me siguri një strukturë të posaçme që do të merret me problemet e përgjithshme dhe të përveçme të emigrantëve. Ne do të synojmë që këtë probleme t’i trajtojmë dhe t’i zgjidhim”, - tha Rama.