E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Taksa të ulëta, shërbime të larta.

02-05-2011 / Gazeta 55

Kryebashkiaku i ri i Tiranës takon tregtarët, gratë kryefamiljare, një grup të rinjsh dhe një grup artistësh të njohur të Kryeqytetit, duke detajuar programin për shkurtimin e taksave dhe rritjen e nivelit të shërbimeve nga ana e bashkisë

Kandidati për Kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha parashikon krijimin e një marrëdhënie të re mes bashkisë, qytetarëve dhe bizneseve. Pasi është njohur me problematikën e madhe të tregut çam që nga taksat e larta, infrastruktura rrugore, e mungesa e pastrimit, Basha deklaroi se pas 8 majit do ti jepet fund praktikës së vjeljes se taksave nga Bashkia, pa ofruar shërbime.
“Këto rrugët këtu, mos me fol fare. Lekë japim pa fund për të paguar por nuk ka ardhur asnjë njeri për të pyetur. Taksë pastrimi paguajmë por as ka ardhur njeri për të fshirë. Vetë e fshijmë për ditë. Jemi në mes të Tiranës, po nuk u pastrua dhe këtu... Ai na thotë që është treg informal. Po paguaj taksa por ai nuk të njeh fare. Nuk do të dijë fare”, iu ankua Bashës një tregtar. 
“Taksa tabelës është e jashtëzakonshme, duhet të mbyllësh dyqanin. Është më e lartë se taksa e biznesit, taksa e tabelës. Shkon një metër diku tek 450 mijë lek”, tha një tregtar tjetër.
“Paguajmë 1 mln e 200 mijë lek taksë tabele, taksë pastrimi, taksë gjelbërimi. Po i paguajmë, por të paktën përgjigju për këto gjëra që më detyrohet ai mua. Vetë po pastrojmë dhe po rregullojmë”, tha një tregtar.
“Ka 12 vjet po e njëjta rrugë. Vijmë këtu me këpucë të lustruara dhe kur dalim marrim letra me vete për t’i pastruar. Të paktën këto më elementaret po kërkojmë. Me taksat tona të rregullohet kjo rrugë”, shtoi një tregtar i tregut Çam.
Pasi dëgjoi këto ankesa, Lulzim Basha u shpreh se “do të heq një pjesë të mirë të taksave, taksën e gjelbërimit, taksën e tabelës, do të ul 3 herë taksën e pastrimit dhe për çdo taksë që do të merret, do të bëhet shërbimi. Duhet të fillojmë një marrëdhënie të re midis bashkisë dhe qytetarëve, midis bashkisë dhe bizneseve. Një marrëdhënie me respekt të ndërsjellë, një marrëdhënie transparente dhe për taksat që mbeten duhet të ofrojmë shërbime”, tha kandidati Basha.
Në platformën e Lulzim Bashës, një vend i veçante u kushtohet edhe grave. Basha parashikon që në bashkëpunim me biznesin të krijojë kushte për trajnimin e grave, mbështetje për hapjen e  bizneseve prej tyre, etj.
“Unë do të marr përgjegjësi të plota për platformën e punësimit si objektivi numër 1 në krye të bashkisë së Tiranës për katër vitet e ardhshëm. Unë kam vendosur, që duke filluar nga vera 2012 të rikthej shkollat dhe kopshtet verore, për të ndihmuar sa do pak kauzën e grave në marrëdhënie pune”, u shpreh Basha gjatë një takimi me një përfaqësi të grave. Mbështetje të veçantë Lulzim Basha parashikon edhe për gratë kryefamiljare, për punësimin, strehimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre.
“Punësimi i nënave kryefamiljare që nuk kanë marrëdhënie pune do të jetë prioritet absolut në politikat e punësimit të bashkisë. Një zyrë e veçantë drejtpërdrejtë nën përgjegjësinë time do të angazhohet për punësimin e çdo nëne kryefamiljare që nuk është në marrëdhënie pune. Dhe këtë do ta bëjmë, jo vetëm në sektorin publik, por dhe në sektorin privat. Ne do të punësojmë aty ku ka nevojë. Do të mundësojmë kredi me interes 0 për strehim, dhe aty ku keni marrë tashmë kredi, do të shikojmë mekanizmat që edhe aty, këto kredi t’i kthejmë me interesa sa më të ulëta për strehimin. Duke filluar që nga viti i ardhshëm, do të ketë një fond special bursash të universiteteve private dhe publike dhe ju siguroj që asnjë fëmijë i nënave kryefamiljare nuk do të privohet nga e drejta e studimit”, siguroi Basha.
Lulzim Bashës kandidat për kryebashkiak në Tiranë, çdo ditë po merr mbështetje edhe nga artistët. Agim Krajka e Bujar Kapexhiu e kane mbështetur se fundmi hapur Lulzim Bashën. “Sot mora dy ftesa, njëra ishte e imja dhe tjetra shkruante aty, Agim Krajka. E mora në telefon dhe i thashë ‘Agim, në Akademinë e Arteve, Lulzim Basha do të ketë takim’. ‘Kur?’- tha ‘Të shtunën’. ‘Mos-tha- se të shtunën kam mësim në Universitet në orën 1’. ‘Po si do t’ia bësh?’. ‘Do ta lë mësimin’, -tha. Kalova në kohë shumë vite përpara, ku nxënësi Lulzim Basha, linte mësimin dhe shkonte të dëgjonte këngët e Agim Krakjës. Kurse sot, Agim Krakja lë mësimin për të dëgjuar fjalimet e Lul Bashës. Pra, ky është respekti për brezat, ky është respekti për të shquarin dhe kemi nevojë për dashuri, për njëri-tjetrin ashtu siç kemi nevojë një dashuri të madhe për qytetin”, u shpreh Bujar Kapexhiu gjatë një takimi që Lulzim Basha kishte me artistët në Akademinë e Arteve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›