E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos na pengoni të votojmë!

02-05-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Kujtesë për zgjedhjet vendore të vitit 2000

Ishin zgjedhje me kryetar KQZ-je Fotaqin. Raporti në këtë institucion zgjedhor ishte 7:1. Kryetari  s’kishte probleme fare. Listat zgjedhore (ato “të Finos”, siç quheshin) kishin zgjuar pakënaqësi të jashtëzakonshme, sepse kishin përjashtuar nga lista një numër të madh emrash kundërshtarë. Flitej gjithandej se kishin kontrolluar emrat e referendumit për formën e qeverisjes për të dalluar se cilët ishin ata që duheshin përjashtuar. Por nëse kjo nuk ishte shumë bindëse, ishin vënë re militantët fanatikë që hetonin me levat e tyre se cilët ishin të njohur në listat paraprake të Finos si votues “kundra”. Sa për listat, ato mund të merreshin dyfish, trefish, katërfish... në bazë të certifikatave që tërhiqeshin në minibashkitë, në koordinim me zyrat e gjendjeve civile. Për disa familje kishin ndjekur një taktikë që u bë shpejt e njohur: Burri në një listë në Kombinat, gruaja në Kinostudio, familjarët e tjerë, gjithandej!
Më 1 tetor, kisha një urgjencë për në Durrës. Pashë një skenë të habitshme në zonën e kënetës. Atje qarkullonin makina policie për të ndaluar zgjedhësit të votonin: “Do t’ju shpërngulim. T’ju çojmë andej nga keni ardhur!”. Votuesit le të ishin abstenues! Ata ishin “malokë” dhe ishin të paragjykuar që të mos votonin.
Shkrimet për këto “zgjedhje i thënçin” ishin të shumta, por askush nuk bëhej merak për to. Si gazetarë të asaj kohe kishim shkruar aq tepër, sa një pjesë të letrave me këtë tematikë (të masakrimit zgjedhor) nuk mundëm t’i botonim. I ndjeri Bardhyl Vuçiterna na njoftonte se atje, te Politeknikumi, bëhej kërdia. Ai ishte zënë me një të quajturën Vali (kryetarja në emër të PS-së), në cilësinë e tij të vëzhguesit për PD-në. Policët që ishin brenda e nxorën jashtë, dhunshëm, B. Vuçiternën dhe e lanë të futej vetëm kur Bardhyli, në oborr iu kërkoi emrat se do të hapte padi për ndërhyrje të palejueshme në dhomën zgjedhore. Kur Bardhyli hyri sërish brenda, atje po flitej me zë të lartë për vjedhjet ashiqare! Ai më tha se gjetiu kishte ndodhur edhe më keq. Kryetarin (në emër të PD-së) e kishin çuar në rajon të policisë dhe e kishin liruar pas një ore e gjysmë! Më vonë u morën vesh ngjarje të çuditshme: disa nga kutitë e votimit ishin çuar për “t’i ruajtur”, në komitetet e PS-së së rrethit! Disa kuti: gjysmë të hapura! Në letrat e vjetra, kam gjetur një shkrim me të dhëna konkrete.
Meqë shkrimi nuk u botua dot në atë kohë, le ta shohim tani:
***
Në zbritje të rrugës së Elbasanit, Përballë Institutit Filologjik, pranë hotelit „Iliria“, ndodhet një pallat 9-katesh, që njihet me emrin Filipeu. Banorët e këtij pallati janë tepër të shqetësuar. Ata kanë në dorë vetëm fletëvotimi, por emrat në lista nuk kanë dalë. S’dinë si ta bëjnë verifikimin, sepse është bërë një dukuri e zakonshme, tani, që njerëzit kanë fletëvotime në dorë, por emrin nuk e kanë në listë. Është fjala kur janë afishuar listat, jo si në rastin konkret, kur listat nuk kanë dalë fare. Janë 50 familje në pallatin që përmendëm, që janë sorollatur se ç’bëhet me emrat e tyre. Disa familje të këtij pallati kanë dashur të komunikojnë  me telefon drejtpërdrejt me KQZ-në, por ka qenë i pamundur komunikimi. Këto familje e ndiejnë veten të lodhura në përçapjet e tyre për të pasur të drejtën votuese, si çdo qytetar.
Përse në KQZ nuk krijohet një sekretari me disa numra telefonike komunikimi, që parregullshmëri të tilla të gjejnë zgjidhje?
Ky pretendim i banorëve të pallatit 9-katesh për të cilin po flasim, na duket i arsyeshëm dhe konkret. Ne kemi parë edhe nëpër spektakle mundësi të shumta telefonimesh, sidomos kur ka qenë e nevojshme për votime në përzgjedhjen me telefona të kandidatëve në konkurrim. Ç’gjë e pengon një mundësi të tillë, kur është fjala për pengesa artificiale, që kanë bërë të shqetësohen edhe institucionet ndërkombëtare, për numrin e madh të atyre që duan të votojnë dhe përjashtohen, duke mos përfillur punën e gjertanishme të komisionit regjistrues në bazë? Bashkim Fino dhe Fotaq Nano duhet të japin shpjegime serioze për seleksionimet që bëhen në qendër. Kanë bërë përjashtime sa u ka dashur qejfi.
Sipas ankesave të banorëve, parregullshmëritë vijnë nga qendra, jo nga baza. Në këtë pallat 9-katesh, banon edhe familja e një deputeti. Njerëzit kanë të drejtë të pretendojnë prononcimin e tij: Është apo nuk është e vërtetë që në këtë pallat nuk kanë dalë endé listat? Ka apo s’ka shqetësime për 50 familje të këtij pallati? Bashkim Finos dhe Fotaq Nanos mund t’u thuhet se është një përkushtueshmëri e lartë ajo e shqetësimit qytetar për të ushtruar atë të drejtë që është sanksionuar në Kushtetutë: E drejta e votës së lirë.
Por cili nuk është me halle ? Dhe a janë të ngeshëm njerëzit që të vijnë vërdallë gjersa të humbasin durimin? Kjo nuk i shqetëson zotërinjtë e sapocituar, që kanë për detyrë të mos tjerrin pengesa, por t‘i lehtësojnë punët. “Zona 58”  është edhe ajo që ka probleme të tilla të sorollatjes së njerëzve. Në rr. Haxhi  Dallia, një grua e moshuar vinte vërdallë, për të regjistruar emrin. Komisioni tresh e kishte regjistruar. Por emri nuk i kishte dalë në listë. I thanë se këtë do ta zgjidhte një komision në Politeknikum. Gruaja kishte numrin e listës. Por atje, në Politeknikum, i kërkuan edhe numrin e zonës. Nuk e kishin regjistruar. - Në dreq vota!-  kishte thënë gruaja, duke ikur tërë inat. Ata, atje lart, kërkojnë që këtë  “në dreq vota” ta thonë me dhjetëra e dhjetëra mijëra! Por le të mos habiten që përgjegjësinë do ta mbajnë vetë! Ata dhe ata që i kanë udhëzuar!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›