Fushata e Ramës, nën kthetrat e bumerangut të “krizës” së tij
“Dhelpra ia hedh fajin kurthit dhe jo vetes” - Blejk
“Kriza” e Ramës, si sajesë për të “justifikuar” konfliktin, ngjan me krijimin e armiqve imagjinarë të diktaturës. Se dhe komunizmi dështoi nga kriza reale, që iu krijua si utopí çnjerëzore. Të gjitha diktaturat shpikin fajtorë pa faj për të ”justifikuar” dështimet e tyre. Meqë humbi zgjedhjet e 2008-tës, Rama duhej të jepte dorëheqjen. Mirëpo ambicia për pushtet të pakufizuar dhe detyrimi ndaj mafiozëve miliarderë ia zbuluan synimet zullumqare të “misionit” të tij. Ndaj sajoi “krizën” e vjedhjes së votës dhe u vetëdeklarua fitues. Ky dështak u shpall avokat i “shenjtërímit të votës” për të mbajtur peng Shqipërínë. “Kriza” e dështimit u bë, pra, lejtmotivi i “çorbës” së tij antidemokratike. Me të Rama ngriti “cunamin” e bojkotit, bllokimit, grevës dhe protestave të pajustifikuara. Pastaj ulëriti si viktimë me aq patos, sa la me gojën hapur dhe ata, që ia dinin gënjeshtrën. Ndoshta këtu e pati zanafillën dhe bumerangu i këtij marifetçiu, të zënë për bishti prej “çarkut”, që i ngriti paaftësía për të udhëhequr. Mirëpo dinakëría e të paaftëve ndonjëherë bën çudíra. A nuk ishte idhulli i Ramës, Enver Hoxha, nastradíni i dhelpërísë më të pacipë, që mashtroi për dekada Shqipërínë ? Duke mos pasur tjetër rrugë, “kriza” i mbeti Ramës “e vetmja rrugë”, me të cilën u përpoq të motivonte akuzat false ndaj mazhorancës. Dhe vetëm një idealizëm patriotik, një bindje prej njerëzish që e njihnin “filozofinë” e afirmimit të despotëve nëpërmjet poshtërímit të kundërshtarit, mundi të realizonte tërë ato vepra që u bënë. Ishte ky vizion demokratizues, që bëri ato ligje, reforma dhe vepra me vlerë historíke. Kurse Rama vetëm u zvarrit si gjarpri në rërë, i detyruar nga presioni i opinionit publik, ai i miqve ndërkombëtarë, por dhe i braktisjes fatále prej militantëve të vet. Megjithatë, neobllokmenët dhe ronxhobonxhot miliarderë e nxitën të vazhdonte pa fund refrenin e “krizës”, jo vetëm për të marrë pushtetin me dhunë, por edhe për të diskredituar demokracinë. Mirëpo koha që rridhte, i shtonte dyshimet ndaj qëllimeve të mbrapshta të këtij akuzatori pa fakte, i cili, pikërisht pse nisi të mohonte gjithçka që s’mund të mohohej, krijoi bumerangun ndaj vetes dhe atyre që e pasonin. Prandaj Rama nuk deshi të hynte në zgjedhjet lokale dhe taní po tenton të sajojë alibí për të “justifikuar” humbjen. Prandaj ka politizuar zgjedhjet administrative dhe nuk pranon debat të hapur me kundërshtarin.
“Kriza” e sajuar prej humbjes, e futi “misionarin” hipokrit në qorrsokake të frikshme. Ndoshta prandaj përfundoi dhe si një peng i lakmive të tyre. “E keqja - thonë - nuk shërohet me të keqen”. Grykësit e trajtuan Ramën si shërbëtor, duke e larguar nga gjithë punët e bashkisë. Dhe ai taní nuk ka ç’t’u thotë tiranasve për t’u kërkuar votën. Kurse zullumqarët e pangopur, që i vunë Ramës dy këmbët në një këpucë, e detyruan të kandidonte për krybashkiak, pa pyetur për fundin fatal të karrierës së tij politíke. Ndaj taní Ramës i duhet të kërcejë “Napolonin” për ata, që i kanë hipur kalit me shalë dhe gajasen së qeshuri, tek e shohin të ulëríjë si i mbyllur në një fuçi boshe. Ndoshta, duke mos pasur nga t’ia mbante, Rama pranoi të kandidonte, edhe pse e parandiente bumerangun e “krizës”, që sajoi. Megjithatë, ai përsërí po përpiqet të dalë nga “çarku” i makutëve të parasë së pistë duke vazhduar “këngën” e shpifjeve, me të cilat mbajti gjallë “krizën”. Po përpiqet, pra, të kënaqë të gjitha instinktet kriminale të milionerëve hajdutë. Dhe është çoroditur aq keq sa, ndërsa njerëzit presin të hyjnë në BE, Rama po detyrohet t’u kundërvihet edhe ndërkombëtarëve. Sepse dhe vetë Rama nuk dëshiron të kryhet ajo transparencë, që do t’i nxirrte të akuzuar atë dhe “sekserët” e tij. Ndoshta prandaj, në vend të platformës dhe premtimeve, Rama vazhdon fushatatën me sharje dhe mallkime enveriste. Ai po bën çmos të mashtrojë elektoratin me “Rrugën e vetme” të marrjes së pushtetit me dhunë. Dhe klith për sigurimin e të “ardhmes” nëpërmjet një diktature “liberale”, ku të arrihet barazía e njerëzve në mjerim. Ndërkohë trillimet e pakufishme dhe poshtërími vetakuzues i kundërshtarit po lënë me gojën hapur edhe shumë socialistë, që po ndihen të fyer, pse kanë ndjekur nëpër mitingje këta sharlatanë, që përpëliten të realizojnë vetëm ambiciet e tyre. Se Rama me neobllokmenët kanë harruar që ka perënduar koha e atij fanatizmi, të krijuar nga mrekullia e “dajakut”. Ka ikur koha kur njerëzve u duhej t’i thoshin edhe derrit dájë. Ndaj edhe shumë socialistë po binden përse Rama nuk shpalos program; përse nuk bën premtime serioze dhe përse nuk u kërkon të falur qytetarëve për katrahurën, që ka krijuar në Tiranë. Vazhdimi i frymës së “krizës” është inercia fatale e atij bumerangu, që “kriza” krijoi për vetë autorët e saj. Rama e kupton këtë fund qesharak. Por si çdo fund që ndjek nga pas delirantët, edhe ky i Ramës tenton të mbijetojë me slogane mashtruese. Ndaj melodía e “krizës” po shoqërohet dhe me rrënimin e shpresave për mbijetesë të partisë socialiste. Se dhe ajo nuk mund t’i shpëtojë bumerangut të frymëzuesve nostalgjikë të një neodiktature, e cila frymëzohet nga lakmia e shfrenuar e lukunísë së hajdutëve “modernë”. “Kriza” e Ramës ishte dhe mbeti ngërçi fatal i paaftësísë së tij për të drejtuar një opozitë, që duhej të kishte të tjera misione në këto kohë të arta për integrimin e vendit. Prandaj Rama nuk i shpëton dot këtij bumerangu, që po shfaqet në formën e “Rrugës së vetme”. Megjithatë, Rama vazhdon ta mbajë veten seriozisht për fitimtar, kur dhe Volteri i madh e quajti seriozitetin e përhershëm - maskë të mediokritetit!