E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Vizat, liberalizimi në rrugë të mbarë



Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, informoi mbrëmë shqiptarët se procesi i liberalizimit të vizave është në rrugë të mbarë. Gjatë përshëndetjes së Kuvendit të PD-së, Basha premtoi se në mandatin e dytë të kësaj qeverie shqiptarët do të lëvizin pa viza. Ai vuri në dukje se me “vullnetin e hekurt të kësaj qeverie ia dolëm të rrëzojmë muret e izolimit që ishin krijuar nga krimi, korrupsioni dhe keq-qeverisja socialiste”. Nën moton “Shqipëria po ndryshon”, ministri i Punëve të Jashtme tha se "për Shqipërinë u bë realitet ëndrra e anëtarësimit në NATO". Sipas tij, Kryeministri Berisha nënshkroi MSA-në dhe hapi kapitullin e ratifikimit të saj në një kohë rekord nga 27 vendet anëtare të BE-së, që votëbesuan qeverinë shqiptare dhe reformat e saj. “Ne dorëzuam kërkesën për anëtarësim të plotë në BE, procesi i liberalizimit të vizave është në rrugë të mbarë dhe në fillim të mandatit tonë të dytë ne do të lëvizim pa viza”, - përfundoi ministri Basha. Gjatë punimeve të këtij kongresi, organizuar në Pallatin e Kongreseve ku u miratua programi elektoral i PD-së, që përfshin reforma të mëdha në fushën e shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, ekonomisë dhe punësimit, por edhe projekte të rëndësishme në rrugët kombëtare dhe infrastrukturën rurale në mbarë vendin përshëndetën edhe nënkryetarja e PD-së, Topalli, sekretari i Përgjithshëm Ridvan Bode dhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Ky i fundit pohoi se mazhoranca aktuale arriti të kthejë infrastrukturën e vendit nga një problem në një infrastrukturë moderne. Gjatë fjalës së tij ministri Olldashi informoi edhe mbi ecurinë e punimeve në autostradën Durrës-Kukës. “Korridori i madh i shqiptarëve, korridori Durrës-Kukës, është sot në 16 metrat e fundit të tunelit, kemi vetëm 16 metra pranë dritës në fund të tunelit", - deklaroi Olldashi. Ky eveniment kulmor, i cili mbahet në prag të fushatës elektorale të Partisë Demokratike, është organizuar dhe realizuar nën kujdesin e një grupi përfaqësuesish të Partive Popullore Evropiane, të cilët ndodhen në Tiranë prej disa ditësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›