Berisha prezanton alternativën e fitores së 28 qershorit
Një platformë e mësuar përmendësh deri dhe në fjalën më pak të rëndësishme, si për të treguar se premtimet nuk shkruhen vetëm në letër, por memorizohen thellë në mendje. Pa një dokument formal përpara, lideri demokrat, Sali Berisha, nga plateja blu e “Shqipëria po ndryshon” dhe “Shqipëria në Evropë” në mjediset e Pallatit të Kongreseve, prezantoi mbrëmë para shqiptarëve programin e ri qeverisës. Ai e cilësoi alternativën e fitores së 28 qershorit. Në kongresin kombëtar të PD-së, kryetari Berisha zbardhi të gjitha premtimet e një mandati të ri qeverisës që nis më 28 qershor dhe përfundon në 2013. Premtimi që ndezi sallën e tejmbushur nga demokratët e kryeqytetit, mes të cilëve qëndronin ekipi qeveritar dhe stafi politik i PD-së, ishte lëvizja e lirë drejt zonës “Shengen” dhe anëtarësimi i shqiptarëve në Bashkimin Evropian në vitin 2013. Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se në katër vitet e ardhshme do të arrihet një tjetër horizont për zhvillimin e vendit. "Horizonti ynë për katër vitet e ardhshme është Shqipëria në BE dhe se në 2010 shqiptarët do të lëvizin të lirë”, - deklaroi z. Berisha. Prioritetet e programit do të jenë infrastruktura rrugore, ndërtimi dhe rindërtimi i shkollave, punësimi, vëmendje ndaj të rinjve dhe dy pikat e rëndësishme, reformat për të marrë statusin e vendit kandidat dhe lëvizja e lirë e qytetarëve.
Por për të arritur bashkimin me familjen evropian, Berisha shprehu sigurinë e vazhdimit të reformave në vend. Trajtimi i minoriteteve dhe përfaqësimin e tyre në institucione është dhe pika e parë e programit të demokratëve përgjatë 4 viteve të ardhshme, për të vijuar më pas me çështjet më të prekshme për qytetarët, rritje njëqind për qind të pagave dhe pensioneve, barazimin e atyre të fshatit me të qytetit, sigurimin e ujit dhe dritave 24 orë, dyfishim të buxhetit të arsimit, sistem modern të shërbimit shëndetësor, zgjidhje të çështjes së pronësisë dhe dëmshpërblim të ish-të përndjekurve politikë për çdo ditë burgu. Sipas z. Berisha, Shqipëria do të njohë një zhvillim të madh në mandatin e ardhshëm, duke lënë pas madje disa vende të Bashkimit Evropian. Sepse “Duart e pastra” të Sali Berishës do ta çojnë Shqipërinë shumë më përpara. Në këtë rast, Kryeministri premtoi një qeveri edhe më të vogël se qeveria aktuale në dietë. Berisha bëri të qartë se tashmë i kemi lënë pas qeveritë e babëzisë dhe kemi qeveri të dietës dhe dieta katër vitet që vijnë do të jetë shumë më e rreptë. Duke shprehur sigurinë e plotë për fitoren e 28 qershorit dhe vazhdimin e drejtimit të qeverisë së ardhshme, Berisha premtoi se lufta kundër korrupsionit nuk do të ketë të ndalur dhe se në qendër të punës së kabinetit të tij do të jetë puna e ndershme dhe transparente ndaj publikut. Ai ftoi qytetarët shqiptarë që të votojnë alternativën evropiane. "Ne do të heqim korrupsionin në hipoteka, në shëndetësi dhe në të gjitha ato institucione që janë në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Unë jam i bindur se më 28 qershor, shqiptarët do të votojnë për Sali Berishën", - tha Kryeministri. Ai u ndal tek taksat dhe premtoi vazhdimin e reformave, teksa përmendi faktin se Shqipëria do të mbetet vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe gjithashtu edhe vend lider i investimeve të huaja. Por punësimi i shqiptarëve dhe lufta pa kompromis ndaj papunësisë është një tjetër prioritet i qeverisë së djathtë. "Duke mbetur ithtar dhe besnik i standardeve të larta ekonomike, do të mbështetem në luftën ndaj dhimbjes qytetare. Unë do të bëj çdo përpjekje kundër varfërisë dhe nuk do të lejojë që asnjë qytetar të mos ndihet i përjashtuar", - shtoi Berisha. Kreu i mazhorancës u fokusua edhe tek infrastruktura rrugore dhe premtoi zgjerimin e akseve deri në komunat më të thella dhe lidhjet e reja me fqinjët e Shqipërisë, si Greqia, Mali i Zi, Maqedonia dhe pa diskutim me Kosovën, për të afruar distancat mes dy vendeve të një kombi. Ai lajmëroi se "javën që vjen do të hapet tuneli, hapja e korridorit të shqiptarëve, krenaria e kësaj qeverie, rrugës patriotike". Entuziazmit të tij për përfundimin e rrugës kombëtare iu bashkëngjitën edhe demokratët e shumtë në sallë, të cilët mbështetën përmes duartrokitjesh këtë projekt të shumëpritur të shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës. Berisha preku edhe çështjen e bujqësisë, duke i siguruar fermerët për mbështetjen e projekteve të tyre në shtimin e prodhimit. Ndërsa për energjetikën, shefi i qeverisë theksoi se Shqipëria do të japë mijëra hektarë për të ndërtuar 400 hidrocentrale me koncesion, ku do të punësohen mijëra shqiptarë. "Ne do të përdorim të gjitha format e energjisë dhe do ta shndërrojmë Shqipërinë, në një superfuqi energjetike në rajon", - deklaroi z. Berisha. Kurse për çështjen e pronave, Kryeministri garantoi ish-pronarët se do të bëjë ç'është e mundur deri në zgjidhjen finale të këtij problemi. Ai iu drejtua atyre, duke u thënë se lexon çdo mesazh të tyre dhe se nuk do t’i braktisë në asnjë rast, se nuk do të lejojë batakçinjtë që të abuzojnë me pronën e tyre dhe se ajo do t’u kthehet brenda mandatit të ri 4-vjeçar.