Kongresi i PD-së, Berisha: Ju tregoj dhimbjet e shpirtit
Një rrëfim i rrallë në politikën shqiptare, në evenimentin më të rëndësishëm të një partie në pushtet. Kryeministri Sali Berisha njohu mbrëmë shqiptarët në kongresin e 9-të të PD-së me anën njerëzore të një lideri politik plot energji dhe përkushtim ndaj bashkëkombësve të tij. Pasi prezantoi platformën e re të qeverisjes së djathtë, Berisha tregoi për qytetarin, kardiologun, pedagogun, prindin, për të arritur tek karriera tjetër 19-vjeçare, ajo politike, që nisi në vitet ‘90. Në laboratorët kërkimorë, përtej profesionit human të mjekut, Sali Berisha kishte kuptuar se tashmë jo e vërteta shkencore, por e vërteta njerëzore, ajo e lirisë, është eprore ndaj gjithçkaje. Ndaj vendosi të braktisë profesionin e doktorit, për të nisur një tjetër, kurimin e shqiptarëve nga diktatura enveriste. “Kam qenë mjek, kardiolog, studiues i apasionuar, profesor universiteti për afro një shekull, me përkushtim u kam shërbyer të sëmurëve, kam punuar me studentët. Karrierën time të dytë nuk e kam nisur kurrë për pushtet. E kam nisur me një vendim timin, të cilin do ta bëja për t’u përballur me një regjim çnjerëzor, si ai i diktaturës komuniste”, - deklaroi z. Berisha. Duke folur për dashurinë ndaj të sëmurëve, z. Berisha kishte bindur veten më shumë se kushdo tjetër se dhimbjet e shpirtit janë shumë më të dhimbshme se ato të zemrës, të cilat i kishte kuruar me vite e vite të tëra. Ndaj u përball me shtypjen e egër komuniste, për ta sfiduar ai antinjerëzore. “Jam njeri që i kam dashur të sëmurët, studentët, kam botuar kërkime shkencore edhe në botë, por çfarë ndodhi me mua? Teksa merresha me dhimbjet e zemrës dhe të sëmurëve të mi, arrita të kuptoj se më të dhimbshme ishin dhembjet e shpirtit. Tek shqyrtoja në laboratorët e mia të vërteta shkencore, gradualisht po zbehej dhe po ngrihej një pasion tjetër. Disa të vërteta të tjera janë më eprore, janë të vërtetat e lirisë”, - u shpreh z. Berisha. Ai foli për mbështetjen që i dha familja e tij gjatë fillimit të karrierës politike, pavarësisht se rruga e nisur ishte shumë e vështirë. Fakti që nuk e kishte provuar shtypjen e egër të regjimit, siç kishte ndodhur me qindra e mijëra familje shqiptare të burgosura dhe të përndjekur politikisht, e shty edhe më tepër që të përballej me kuçedrën komuniste. Berisha iu drejtua të pranishëmve të shumtë në sallë se: “Njëlloj si ju kam dashur dhe dua shumë familjen time dhe prindërit e mi dhe për politikën në atë kohë nuk i ndërroja kurrë, por më mungonte dinjiteti i shtypur, ndaj luftova në emër të tyre, ndaj dolëm të gjithë themeluam PD-në dhe përmbysëm diktaturën”. Por momentet e vështira vijnë gjatë rebelimit të ‘97-ës, për të cilën Berisha nuk hezitoi të thotë se ishte një borxh i pamarrë që nuk mund ta paguante. Dhe paskëtaj vitet e gjata në opozitë, dhunimet nga regjimi kleptokrat socialist, përndjekjet ndaj demokratëve, derisa shqiptarët i dhanë fund me votën e lirë më 3 korrik 2005. “Udhëhoqa opozitën bashkë me bashkëpunëtorët e mi drejt ‘92. U zgjodha President kur shqiptarët ishin në mjerim të plotë, që përjetonin urinë dhe mjerimin, por pasioni për lirinë, me mbështetjen tuaj na bëri që të vendosnim themelet e shtetit të ri. Shqipërisë iu mbushën dyqanet dhe la pas kolapsin ekonomik, duke e çuar në prag të negociatave në ‘96. Arritëm atë gabim që kam njohur, rebelimin komunist të ‘97, shpifje, trillime, akuza, por unë sërish mbeta qytetari Sali Berisha. Njëlloj si ju, me pasionin e lirisë, deklarova se një borxh që nuk e kam marrë nuk mund ta paguajë, por dhashë dorëheqjen. U bashkuam bashkë, qëndruam në vite, përmes dhunës, nuk u mposhtëm. Në 2005 ne përmbysëm sistemin kleptokratik dhe fituam”, - theksoi z. Berisha. Por një tjetër risi e Kryeministrit të vendit mbrëmë në kongresin e PD-së ishte se nuk u mor me kundërshtarin politik. Dhe për një arsye të thjeshtë, se Edi Rama u dorëzua pa hyrë në garën e 28 qershorit, duke e braktisur konkurrimin për deputetë. “Në respekt të traditës më të lashtë shqiptare, të mos i them asnjë fjalë, sepse kjo traditë thotë se koka e falur nuk pritet më. U dorëzove, nuk kam fjalë më për ty”, - tha Kryeministri. Me zotimin se edhe gjatë 4 viteve të ardhshme do të jetë pranë halleve të qytetarëve shqiptarë, si qytetar i këtij vendi, Sali Berisha premtoi: “Së bashku do ta ndërtojmë këtë vend, për ta qëndisur Shqipërisë, për ta bërë nuse në Evropë, për të shndërruar ëndrrën e shqiptarëve në realitet”. Kongresin e demokratëve e përshëndeti mbrëmë edhe përfaqësuesi i Partive Popullore Evropiane, i cili lexoi mesazhin e kancelares gjermane, Merkel, Presidentit francez, Nikolas Sarkozy, Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni dhe atij grek, Kostas Karamanlis.