E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha bën bilancin e 4 viteve qeverisje



Kryeministri Sali Berisha bëri mbrëmë bilancin e 4 viteve të qeverisjes, teksa vlerësoi punën e stafit qeveritar për reformat e arritura përgjatë këtij mandati. Berisha u ndal në arritjet kryesore të kësaj qeverie gjatë këtij mandati, duke shprehur bindjen se "premtimet e mbajtura dhe reformat e ndërmarra janë leva e Arkimedit për të ecur përpara". "Ne miratojmë programin e zhvillimit, programin e horizontit të ri që do të kapë Shqipëria në turra-vrapin e saj gjatë 4 viteve të ardhshme. PD mbetet parti e interesit kombëtar, e interesit evropian të shqiptarëve, parti e transformimit të ëndrrave të tyre në realitet", - tha Berisha. Duke u ndalur te reformat kryesore të ndërmarra në Shqipëri, Kryeministri u shpreh se "Shqipëria ka njohur në disa fusha suksese rajonale dhe në disa reforma të tjera suksese botërore". Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha veçoi "luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat fiskale dhe rritjen e shpejtë ekonomike në vend, rritjen e rrogave dhe pensioneve etj.". "Anëtarësimin në NATO, një horizont që 4 vjet më parë dukej i pakapshëm, ne e shndërruam në realitet. Shqipëria është vendi i projekteve më të mëdha infrastrukturore në rajon, vendi lider i tërheqjes së investimeve të huaja. Vetëm vitin e kaluar vendi u vizitua nga 2.7 milionë turistë nga mbarë Evropa", - tha Kryeministri Berisha. Ai vlerësoi se "Shqipëria në NATO është leva e Arkimedit, për të ndërmarrë reforma të thella e të gjithanshme për ndërtimin e Shqipërisë evropiane". "4 vitet që lamë pas ishin vitet e fjalës së mbajtur dhe transformimeve më të thella. Ne firmosëm në një kohë rekord MSA-në dhe paraqitëm kërkesën për anëtarësim në BE. Përpjekja jonë për Shqipërinë evropiane kërkon që ne të vendosim norma, kritere dhe standarde politike, ekonomike dhe sociale evropiane", - vijoi Kryeministri Berisha. Sipas tij, "vetëm këto standarde do të mundësojnë konsolidimin e demokracisë dhe vlerave të saj, ekonomisë së lirë të tregut, solidaritetit njerëzor dhe kohezionit shoqëror".

Pikat kryesore të programit të PD-së

Vitet 2009-2013 do të jenë vitet e Shqipërisë së ndryshuar, gati për t'u bërë anëtare e BE-së. Shqipëria do të çelë negociatat për marrëveshjen e anëtarësimit, do të negociojë çdo nen dhe çdo kapitull të saj dhe do ta shndërrojë në realitet të prekshëm për çdo shqiptar.

Lëvizja e lirë brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës dhe Shqipëria në Evropë.

Në vitin 2013, Shqipëria do të jetë gati për verdiktin final të 27 vendeve anëtare të BE-së.

Shqipëria evropiane është zotimi dhe projekti i madh, vrapi ynë në ngjitje, i lodhshëm, lartësues, fisnik dhe shpresëdhënës.

Diplomacia shqiptare do të shndërrohet në diplomaci ekonomike.

Trajtimi i minoriteteve dhe përfaqësimin e tyre në institucione. Respektimi i të drejtave dhe lirive njerëzore për komunitetin egjiptian dhe atë rom.

Respektimi i komuniteteve fetare.

Shqipëria do të njohë një zhvillim të madh në mandatin e ardhshëm, duke lënë pas madje disa vende të Bashkimit Evropian.

“Duart e pastra” të Sali Berishës do ta çojnë Shqipërinë shumë përpara. Në mandatin e dytë, një qeveri edhe më e vogël se qeveria e dietës.

Thellim balancës së pushteteve, pavarësisë së institucioneve të pavarura.

Reforma të thellë në sistemin gjyqësor, shteti ligjor do të njohë një nivel të ri në Shqipërinë evropiane.

Standardet do të dominojnë mbi çdo gjë.

Procedurat do të dixhitalizohen.

Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.

Deri në 2010, asnjë qytetar me ndihmë ekonomike.

160 mijë të rinj do të punësohen për 4 vitet e ardhshme.

Rritje njëqind për qind të pagave dhe pensioneve. Barazim të pensioneve të fshatit me ato të qytetit.

Lufta kundër korrupsionit nuk do të ketë të ndalur dhe se në qendër të punës së qeverisë, do të jetë puna e ndershme dhe transparente ndaj publikut.

Do të hiqet korrupsioni në hipoteka, në shëndetësi dhe në të gjitha ato institucione që janë në shërbim të qytetarëve shqiptare.

Vazhdim i reformave ekonomike, rritje të mëtejshme të saj dhe se Shqipëria do të mbetet vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe gjithashtu edhe vend lider i investimeve të huaja.

Luftë kundër varfërisë, ku çdo qytetar të mos ndjehet i përjashtuar.

Turizmi, një përparësi madhore e qeverisë.

Ndryshim agjencisë së investimeve të huaja.

Zgjerim i akseve deri në komunat më të thella dhe lidhjet e reja me fqinjët e Shqipërisë, si Greqia, Mali i Zi, Maqedonia dhe pa diskutim me Kosovën, për të afruar distancat mes dy vendeve të një kombi.

Mbështetje projekteve të fermerëve për shtimin e prodhimit.

Shqipëria do të japë mijëra hektarë për të ndërtuar 400 hidrocentrale me koncesion, ku do të punësohen mijëra shqiptarë.

Do të përdoren të gjitha format e energjisë për ta shndërruar Shqipërinë, në një superfuqi energjetike në rajon.

Qeveria do të bëjë ç'është e mundur deri në zgjidhjen finale të çështjes së pronave.

Qeveria do të heqë taksat për 5 vjet për familjet e varfra.

Do të ndërtohen akse të shkurta për të dalë në rrugë kombëtare.

Në katër vitet e ardhshme do të ketë lidhje tërësisht të re rrugore me fqinjët, Greqinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi.

Sondat shpuese që kontrollonin u bashkuan në mes nga të dy anët e tij, javën që vjen është hapja e tunelit të korridorit shqiptar.

Shqipëria një vend plot ujëra, do të ketë 24 orë ujë në çdo shtëpi dhe po ashtu edhe drita.

Çdo ish-i përndjekur politik do të dëmshpërblehet për vitet e burgut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›