E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama kërkon të marrë çdo post

Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje kandidatët e mazhorancës për njësitë vendore në qytetin e Krujës dhe në Ishëm. “Me Shkëlzen Hoxhën do zbatojmë çdo projekt. Do rindërtojmë sistemin e kanalizimeve, stadiumin, sikundër Kruja turistike do të mbetet kreu i të gjitha përpjekjeve tona. I dashur Shkëlzen, Kruja europiane meriton edhe teleferikun. Së bashku ne do të bëjmë që turistë nga e gjithë bota të ngjiten me teleferik. Kruja turistike kërkon dhe që ne së bashku të asfaltojmë rrugën e Qafë-Shtamës, një nga zonat më të bukura malore të Shqipërisë”, tha Berisha në Krujë. Kreu i qeverisë ka akuzuar liderin e opozitës, Edi Rama, duke theksuar se me anë të rrugës së vetme ai kërkon të marrë të gjitha postet e mundshme. “Ai është i vetmi politikan që kërkon të bëhet edhe kryeministër, edhe kryetar bashkie, edhe kryetar partie dhe të marrë çdo post. Ndaj thotë se ai është rruga e vetme”, theksoi Kryeministri. Në komunën e Ishmit Berisha prezantoi dhe i shprehu mbështetje kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, për këtë komunë, zotit Gëzim Ylli. Berisha i ftoi banorët që më 8 Maj të votojnë për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Gëzim Yllin, pasi vota për të do të shndërrohet në sukses për të gjithë qytetarët e Ishmit. Kryeministri u shpreh se qeveria do të mbështesë çdo projekt në infrastrukturë për shndërrimin e Ishmit në një nga polet më të fuqishme turistike të vendit. Sipas shefit të qeverisë, në ndërtim e sipër është rruga Shetaj-Kepi Rodonit, është tenderuar rruga Fushë Gjyricë-Likmetaj. “Krahas kësaj alternative, është alternativa e rrugës së vetme. Të dashur banorë të Ishmit, cila ishte alternativa e rrugës së vetme këto vite? Kjo alternativë ishte alternativa e përpjekjeve të gjithanshme për të bllokuar anëtarësimin në NATO, alternativa e përpjekjeve të gjithanshme për të futur vizat në kuti. Rruga e vetme ishte rruga që shpalli vepër kriminale rritjen dhe dyfishimin e pensioneve tuaj, rritjen e rrogave. Rruga e vetme ishte rruga e bllokimit me çdo kusht të çdo progresi të këtij vendi, por bllokimit të dështuar. Ne le t’ia lëmë këtë rrugë zotit Edi Rama, i cili e ka kryekëput për karrigen e tij”, këmbënguli Berisha. Le të ecim ne së bashku, shtoi ai, të ecim së bashku në rrugën e NATO-s, në rrugën e turizmit, të rritjes së rrogave dhe pensioneve, në rrugën e heqjes së vizave për ju, në rrugën e integrimit, në rrugën e kthimit të ëndrrave tona në realitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›