Rama: Mos e shisni votën në pazarin e ndryrë
Burreli dhe Peshkopia ishin ndalesat e radhës të kreut të socialistëve Edi Rama, në kuadër të turit elektoral. Lideri i opozitës prezantoi kandidaten e koalicionit “Aleanca për Ardhmen”, Afelina Farrici, ndërsa akuzoi Kryeministrin se ankohet për sharje e fyerje, por duhet të japë llogari para qytetarëve për ato çka ka thënë deri më sot. “Saliu ankohet për sharje dhe fyerje, ndërkohë që është ai që ka shpifur më shumë. Saliu më parë duhet të përgjigjet ai për shpifje ndaj qytetarëve. Në Shqipëri ka 1 milion të papunë dhe këto nuk janë shpifje, Saliu të përgjigjet për monopolet”, theksoi Rama. Në vlerësimin e liderit të opozitës, në një kohë që rrogat rriten një herë, çmimet dhjetëfishohen, ndërsa njerëzit ndiejnë çdo ditë taksën e kusarisë. “Saliu duhet të përgjigjet për monopolet. Të përgjigjet për papunësinë, çmimet. Të përgjigjet pse qytetarët janë të detyruar ta paguajnë naftën 1800 lekë”, theksoi Rama. Duke insistuar se koalicioni opozitar është e vetmja rrugë që do të mund t’i japë zgjidhje situatës ku ndodhet vendi nga keqqeverisja, Rama tha se jemi në kurthin e një regresi që nuk po ndalet. “Qeveria ka dalë nga vjedhja e votës. Ne premtojmë atë që bëjmë dhe do mbajmë çdo premtim, pasi për ne njerëzit janë të barabartë”, deklaroi kreu socialist. Rama këmbënguli se vota është e vetmja forcë që mund të ndryshojë të ardhmen dhe që mund t’i thotë “Kurrë më!” qeverisë aktuale, ndaj për këtë arsye ai ka kërkuar që të mos e shesin për asnjë arsye votën e tyre që do të sjellë ndryshimin. “Vota e lirë është fuqia jonë. Mos e shisni votën në pazarin e ndyrë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund t’i themi Saliut kurrë më. Vota e 8 Majit do ndryshojë të ardhmen tuaj, pasi kjo politikë e pabesë duhet të marrë fund dhe çdo shqiptar duhet të bëhet protagonist i këtij ndryshimi”, nënvizoi Rama. Gjatë takimit me simpatizantë të Partisë Socialiste, Rama ka dhënë mbështetjen e tij edhe për kandidatin për Bashkinë e Bulqizës, Myfit Duriçi. Si një “sundim” dhe jo “qeverisje”, me këto fjalë Rama ka përshkruar qeverisjen e këtij qyteti nga Sali Berisha. Rama është ndalur edhe në problemet e përditshme të Bulqizës, duke fajësuar qeverisjen e keqe dhe grabitjen që po i bëhet kësaj zone të pasur me krom. Sikurse edhe nga Peshkopia, Rama është ndalur në shitblerjen e votës. Edi Rama ka premtuar një rishikim të të gjitha koncesioneve të kromit në zonë, nëse e majta vjen në pushtet. Rama deklaroi se qeveria duhet të japë llogari për çmimet e larta dhe varfërinë në vend. “Berisha ankohet për shpifje, por 1 milion shqiptarë të papunë nuk janë shpifje. Qeveria rrit pagat njëherë, ndërsa çmimet 10-fishohen”, tha Rama.