E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrimi i një rruge, debat mes Gjikës dhe Kollozit

Shtrimi i rrugës në lagjen “Topana” të qytetit të Vlorës është bërë shkak i një incidenti të ndodhur midis përfaqësuesve për kryetarë bashkie, Shpëtim Gjika dhe Ardian Kollozi.

Ky është incidenti i parë i ndodhur në qytetin bregdetar. Shkak është bërë pezullimi i punimeve nga persona që u prezantuan si përfaqësues të Inspektoriatit Kombëtar të Ndërtimit dhe punonjës policie. Së bashku me ta kanë qenë edhe përfaqësues të strukturave të PD, që kanë kërkuar të punohej në rrugë, pasi ndërpritej kalimi në zonën ku ishte përcaktuar një takim elektoral i kandidatit të djathtë. Me pezullimin e përkohshëm të punimeve në zonë ka mbërritur kryetari aktual i Bashkisë, njëherësh dhe kandidati i së majtës, Shpëtim Gjika, i cili nuk ka lejuar të ndërpresin punimet. Sipas pretendimeve të përfaqësuesve demokratë të sesionit numër 1, ky është një akt i turpshëm dhe i qëllimshëm. Sipas tyre, shtrimi i kësaj rruge për banorët e lagjes “Topana” nuk mund të bëhet në një kohë që nga kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Kollozi kishte planifikuar një takim elektoral në këtë lagje, pasi sipas përfaqësuesve demokratë, pengon kalimin për në qendrën elektorale. Ka qenë kryetari i bashkisë, njëherësh dhe kandidat i “Aleanca për të ardhmen”, Shpëtim Gjika, i cili e ka dënuar këto akte të të përfaqësuesve të sesionit nr. 1 të PD së Vlorës për ndërprerjen e punimeve. Sipas tij, ky investim është bërë i mundur nga kontributet e banorëve të kësaj lagje dhe si të tillë është mbështetur nga bashkia. “Prandaj nuk lejojmë askënd të ndërpresë punimet dhe zhvillimin e qytetit”- tha Gjika.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›