E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballja e Vlorës

Ardi Kollozi: Kandidati i “Aleanca për qytetarin”

Qyteti me masterplan

dhe landfill të ri

Ju keni qenë deputeti i PD-së dhe tani kandidoni për bashkinë, pse kjo zgjedhje?

Ka qenë një vendim, ai i lënies së mandatit të deputetit, i maturuar në kohë. Është përcaktuar nga ndjesi e brendshme dhe dashuri për Vlorën. Ftesa e hapur e strukturave të PD-së, në Vlorë, ku si asnjëherë më parë në masën 100% propozuan vetëm kandidaturën time për kryetar bashkie në Vlorë. Opinioni publik e qytetar, miq, shok e dashamirës, pra thirrja e brendshme dhe vetëdija se është momenti kur qyteti yt i dashur ka nevojë, ishin këto të gjitha bashkë që vendosa të kandidoj.

Cilat do të jenë prioritetet tuaja në këtë mandat?

Realiteti i sotëm në Vlorë, ku problematikat janë të shumta dhe të gjithanshme, ku në gjithë këto vite nuk është afrontuar e zgjidhur qoftë edhe një problem i vetëm, na përcakton të nisim me front të gjerë punën tonë. Vizioni ynë për qytetin e sheh Vlorën të projektuar në vitin 2030. Pikërisht kohëzgjatja e politikave të zhvillimit është tipari që na diferencon, nga mënyra e deritanishme e qeverisjes, kur gjithçka është bërë nga motivi i përfitimit të shpejtë: Vlora e vitit 2030, qytet policentrik, qendër e madhe rajonale e zhvillimit ekonomik, me zhvillim turistik të qëndrueshëm, me transport detar, hekurudhor dhe rrugor, qendër e fuqishme shërbimesh bankare, agjencish turistike, qytet me zhvillim shkencor dhe akademik, qytet me ofertë kulturore të pasur, qyteti i ëndërruar nga banorët e saj dhe i vizitueshëm gjatë gjithë vitit. Prioritetet strategjike për 4 vjetët e ardhshëm do të jenë: zhvillimi i qëndrueshëm urban; infrastruktura urbane; zhvillimi i qëndrueshëm turistik. zhvillimi i qëndrueshëm urban nënkupton: një zhvillim që kënaq kërkesat e brezit të sotëm, pa kompromentuar kapacitetin e brezave te ardhshëm për të përmbushur nevojat e veta. Një zhvillim i tillë arrihet duke pasur parasysh tre parime: Cilësinë Mjedisore, zgjatjen e horizontit kohor të politikave të zhvillimit.

Mund të na thoni 5 projektet më të rëndësishme?

Studimi urbanistik, master plani, që do të sjellë pasqyrimin dhe zhvillim të qytetit të Vlorës, ne po mendojmë për Vlorën e 30 viteve të ardhshme, problemi i pastrimit, parësor mbetet ndërtimi i landfield-it. E mandej, disiplinimi i mbetjeve urbane, evadimi i mbetjeve inerte, etj. Politikat ekonomike, të tilla për të lehtësuar barrën fiskale dhe krijimin e hapësirave dhe frymëmarrje për biznesin, me qëllim shtimin e iniciativës. Trafiku dhe transporti, ndërtimi i rrugëve dhe plotësimi me infrastrukturë i qytetit, konkretisht ndërtimi i unazës së madhe dhe të vogël, by pass-i, gjurmë të reja rrugësh, sistemi i tyre në bazë të standardeve, ndriçim, sinjalistikë, trafikndarësa, etj.

Jeta kulturore dhe artistike e qyteti, gjithë vjetore.

Si do t’i jepni zgjidhje problemit të trafikut, infrastrukturës, plehrave dhe gjelbërimit në qytet?

Ne do ta pajisim Vlorën me një masterplan, ku të kemi përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të prerë, Vlorën e pas 30 vjetëve, ku zhvillimi i transportit publik do të jetë vëmendja jonë kryesore; ndërtimi i unazës së madhe dhe të vogël të qytetit, pajisja me një linjë tramvaji do të jenë projektet e menjëhershme të radhës. Këto projekte janë në përputhje me politikat tona mjedisore, pasi efekti i tyre për pakësimin e trafikut, kursimin e energjisë, mbrojtjen e ajrit së bashku me vendosjen e korsive për biçikleta dhe projektet e mëdha për gjelbërimin, do të jenë hapa të sigurt drejt “qytetit të gjelbër” që ne synojmë të ndërtojmë. Rigjenerimin e sipërfaqeve urbane, ndriçimin, orientimin e lëvizjes drejt vijës bregdetare me ndërtimin e “lungomare” sidomos gjatë muajve të verës, Vlora policentrike (me disa sheshe, veç qendrës historike), duke stimuluar në këtë mënyrë jetën e natës, për argëtim në një qytet të sigurt.

Cilat mendoni se janë pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit tuaj?

Pa dashur të nihilizoj çdo gjë dhe duke u përpjekur t’i shmangem sa më shumë pesimizmit, situata në të cilën ndodhet Vlora, është e tillë saqë patjetër ngarkon me përgjegjësi direkte, kryetarin aktual të bashkisë, i cili për më tepër se 8 vite administrim e ka rënduar këtë situatë. E besoj se çdo qytetar i Vlorës e ka të lehtë të gjykojë se oferta e riparaqitur prej tij, nuk mund të konsiderohet e për më tepër do të refuzohet.

A do të pranonit të bënit debat në tv me kundërshtarin tuaj?

Patjetër. Është një detyrim që u kemi qytetarëve të Vlorës, element i rëndësishëm i fushatës elektorale, që s’mund të neglizhojmë. Unë kam vendosur të pranoj çdo ftesë dhe të gjitha mundësitë alternative për t’u ballafaquar me z. Gjika, sepse dua t’u provoj e t’u verifikoj të gjithë vlonjatëve se projekti dhe oferta ime për Vlorën është i pakrahasueshëm dhe zgjidhja e duhur për ta.

Shpëtim Gjika, kandidati i “Aleanca për të ardhmen”

Përmirësim të infrastrukturës dhe

politika për shtresat në nevojë

Ju rikandidoni sërish për kryebashkiak nga e majta. Por këtë herë, kandidati i PD ka mbështetjen edhe të LSI, që do të thotë se kemi një shumatore të votave të djathta dhe një pjesë të atyre të majta?

Ta nis këtë intervistë me përmendjen e këtij koalicioni të turpshëm, sigurisht që nuk do më pëlqente. Si në Vlorë, ashtu dhe në të gjithë Shqipërinë, kërrkush nuk mund të zgjedhë këtë alternativë të turpit. Është ky koalicion që ka bllokuar prej dy vjetësh buxhetin e Bashkisë së Vlorës, duke u krijuar vështirësi qytetarëve dhe biznesmenëve, sipërmarrësve e të rinjve, turistëve, pensionistëve, shtresave të ndryshme sociale, të cilët janë bllokuar nga babëzia e këtij hibridi jonatyral, i cili ka në qendër të vëmendjes jo interesat e vlonjatëve, por ato të xhepave të tij. Populli i Vlorës e di shumë mirë se kush janë përfaqësuesit e këtij koalicioni dhe do t’i japë përgjigjen e duhur atyre më 8 maj.

Cilat do të jenë prioritet tuaja në këtë mandat?

Prioriteti ynë kryesor është qytetari i Vlorës. E gjithë puna jonë është në shërbim të tij, ashtu siç kemi bërë çdo ditë të mandatit tonë qeverisës në qytetin e Vlorës. Për mandatin e ardhshëm, në mënyrë më të detajuar, prioritete afatgjata do të jenë përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës, vitalizimi i turizmit, përgjegjshmëria e vazhdueshme fiskale, mbrojtja e mjedisit e përkrahja e shtresave sociale, por edhe siguria publike në qytetin tonë. Për të gjithë këto prioritete, ne kemi plane të studiuara dhe të detajuara, të këshilluara me ekspertët më të mirë në vend, por edhe me studio ndërkombëtare të konsulencës. Për të realizuar këto projekte, ne kemi tashmë edhe miratimin e Këshillit Bashkiak, i cili ka miratuar dhe planin e zhvillimit afatmesëm të Bashkisë së Vlorës, i cili përfundon në vitin 2013. Nga ana tjetër, ne disponojmë të gjithë fondet e nevojshme që këto prioritete t’i vëmë sa më të plota në zbatim. Së fundi, por ndoshta si prioriteti më kryesor i mandatit të ardhshëm, është edhe festimi i 100-vjetorit të pavarësisë, event që do t’i kthejë Vlorës gjatë vitit 2012 jo vetëm krenarinë historike, por do t’i shërbejë qytetit edhe për të ardhmen, duke e kthyer në një qendër të rëndësishme ekonomike dhe turistike.

Na citoni 5 projektet më të rëndësishme

Të gjitha sa citova më lart janë projekte të rëndësishme, të cilat do t’i japin jetë dhe fizionomi ambicies tonë për ta kthyer Vlorën në një metropol të vërtetë. Pra janë më shumë se pesë. Rol të rëndësishëm merr plani i përgjithshëm rregullues, të cilin stafi i bashkisë e ka hartuar me konsulencën e studios prestigjoze ndërkombëtare HYDEA. Gjithashtu mund të përmend strategjinë e turizmit, planin buxhetor afatmesëm. Ajo që shkurtimisht dua të garantoj është që brenda gjysmës së parë të mandatit, Vlora do të shohë të adresuara problemet e infrastrukturës dhe të lehtësirave publike si në shkolla, kopshte, qendra shëndetësore etj, duke marrë kështu fizionominë e plotë të një qyteti europian. E gjitha kjo për t'u fokusuar më pas, në gjysmën e dytë të mandatit, në rritjen e kohezionit social, me një përkujdesje të veçantë që i është dedikuar shtresave në nevojë.

Si do t’i jepni zgjidhje problemit të trafikut, infrastrukturës, plehrave dhe gjelbërimit në qytet?

Projekti ynë është i plotë, i detajuar dhe konkret, ndryshe nga trenat fluturues që kundërshtarët premtojnë duke menduar se mund të gënjejnë vlonjatët. Përsa i përket ndikimit të drejtpërdrejtë të infrastrukturës rrugore në turizëm, përparësi do të kenë ndërtimi dhe zgjerimi i rrugëve bregdetare, si dhe akseve kryesore që lidhin qytetin me plazhet dhe qendrat historike, ku veçojmë: zgjerimin e rrugës dhe trotuarëve të segmentit rrugor Skelë - Uji i Ftohte; ndërtimin e by-pass-it tek tuneli që lejon lehtësimin e trafikut drejt rivierës së Jonit; realizimin e unazës së brendshme dhe asaj të jashtme të qytetit; realizimin e projektit me parametra bashkëkohor të segmentit rrugor ish-parku i tregtisë - ish-kampi i pionierëve, si rrugë hyrëse dhe lidhëse e qytetit me Zvërnecin. Këto, por dhe zhvillimi i masterplanit të qytetit, do ta drejtojnë Vlorën në të vetmen rrugë të saj, atë të një Metropoli Europian. Përsa i takon ndotjeve dhe gjelbërimit, dua të theksoj se këtu kemi të bëjmë me mbetjet që prodhohen në qytet, dhe jo me projektet kriminale të Berishës dhe deputetëve të tij, që kanë guximin të kandidojnë edhe për Bashkinë, të cilët duan ta shkatërrojnë Vlorën. Së fundi të gjithë e panë nga media planin e tyre skandaloz, që kërkon ta kthejë qytetin nga turistik në një mish-mash plehrash dhe lëngjesh.

Cilat mendoni se janë pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit tuaj?

Mendoj se këtë pyetje duhet t’ua drejtoni qytetarëve, të cilët e njohin edhe këtë kundërshtar të radhës që Partia Demokratike ka sjellë në qytetin tonë, kundër nesh. Por ashtu si edhe qytetarët, unë mendoj se këtu nuk mund të bëhet fjalë për “pika”, pasi ato mungojnë plotësisht, aq më pak për t’i ndarë në të forta dhe në dobëta.

A do të pranonit të bënit debat në tv me kundërshtarin tuaj?

E kam shprehur disa herë se jam i gatshëm të debatoj me të kurdo dhe kudo, por të gjithë në Vlorë po shohin sesi kandidati i Partisë Demokratike i shmanget debatit. Fshihet pasi nuk mund të dalë përballë qytetarëve të thotë të vërtetën se pse për sa kohë ishte deputet pranoi të votojë një buxhet mizerabël për Vlorën, se pse për sa kohë ishte deputet ka folur jo më shumë se 5 minuta në dy mandate në Kuvend për qytetin dhe hallet e tij, se pse ka bllokuar Këshillin Bashkiak qysh se kur erdhi në krye të PD-së në Vlorë, se pse ka votuar për ta mbajtur detin e Vlorës dhe gjithë Shqipërisë në një liqen privat të Sali Berishës me moratoriumin famëkeq. Për këto dhe shumë të tjera si këto, kundërshtari nuk mund të përballet, pasi ai nuk do të dalë thjesht përballë meje, por përpara qytetarit vlonjat, i cili i di mirë zullumet e tij dhe do t’i japë përgjigjen e merituar më 8 maj.

Eervin Haruni

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›