E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha, emigrantëve shqiptarë në Greqi: “Së shpejti do të liberalizohen vizat”



Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të Unionit të Shoqatave të Shqiptarëve të Greqisë. Gjatë fjalës së tij, ministri Basha evidentoi disa çështje kryesore ku qeveria ka arritur, nëpërmjet punës me përkushtim të shënojë një përparim të ndjeshëm. Së pari, theksoi ai, çështja e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve është shumë e ndjeshme për emigrantët shqiptarë dhe si rrjedhim, një prioritet madhor i qeverisë “Berisha”. “Kjo ishte një nga çështjet kryesore të diskutuara mes kryeministrit Berisha dhe kryeministrit Karamanlis gjatë vizitës së fundit të kryeministrit grek në Tiranë. Për këtë qëllim, tha ministri Basha, palët ranë dakord për një marrëveshje të përbashkët mbi njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore dhe të pensioneve. Bisedimet tashmë po avancojnë dhe për këtë qëllim ndodhet në Athinë dhe ministri shqiptar i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta”, - është shprehur Basha.
Një çështje tjetër prioritare, theksoi ministri Basha, është dhe mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët shqiptarë në diasporë. “Në këtë drejtim përpjekjet tona janë drejtuar drejt mësimit të gjuhës shqipe, në sa më shumë shkolla publike por edhe në funksionalizimin e një rrjeti qendrash mësimi të gjuhës shqipe kudo ku jetojnë dhe punojnë emigrantë shqiptarë në Greqi. Një tjetër mundësi që do të shfrytëzohet në këtë drejtim është dhe transmetimi i programeve të veçanta satelitore në ndihmë të arsimit dhe kulturës për bashkëkombësit tanë jashtë vendit”, - është shprehur Basha. Së treti, ministri Basha u ndal te lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në hapësirën “Shengen”. Me integrimin e Shqipërisë në NATO, me aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE, me pajisjen e qytetareve shqiptarë me pasaporta biometrike, Shqipëria është e sigurt në rrugën e duhur për të nënshkruar shumë shpejt marrëveshjen për liberalizimin e plotë të vizave në hapësirën “Shengen”, theksoi ministri Basha.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›